Mjekët që kontrolluan pacientin me koronavirus të shqetësuar, nuk i viziton askush

Njëri prej mjekëve i vetëizoluar për shkak ka pasur kontakt me personin e prekur me koronavirus është ankuar se askush s’është interesuar për fatin e tyre. Ka thënë se ende s’i ka kontaktuar askush nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për t’i testuar nëse janë prekur me COVID-19.

“Një pjesë që kemi pasë kontakt me pacientin e prekur me COVID-19 nuk jemi testuar dhe as ekzaminuar. Çdo vetizolim, çdo veprim e kemi bërë vullnetarisht, vetëm me përkrahjen e Komunës së Vitisë”, ka shkruar njëri prej mjekëve.

Nga Qeveria dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk kanë folur lidhur me këto ankesa. Nuk është përgjigjur as Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ndërkohë, Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka bërë thirrje Qeverisë të ndihmojë Vitinë. Ka thënë se ende asnjë ndihmë nuk i ka ardhur këtij qyteti nga niveli qendror.

“Ka vend për mobilizim. Kemi nevojë për ndihmë. Kemi mbet vet pa ndihmën e nivelit qendror. Asgjë s’na kanë ndihmuar. Nuk kemi nevojë për fjalime politike. Qytetarët kanë nevojë për ndihmë. Kemi nevojë për koordinim”, ka thënë Haliti per RTK.

Së fundmi, në Viti është konfirmuar edhe rasti i dytë me koronavirus.

Kryetari i Vitisë ka thënë se po kërkon veprime konkrete nga Qeveria.

“Na duhen pajisje. Nuk është në rregull që institucionet komunale me mbet të vetmuar. Do ta dalin edhe shumë të tjerë me këtë virus. Nuk duhet të krijojmë panik. S’ka mundësi të ketë preventivë pa pajisje”.


Shtuar 14.03.2020 13:14