Nga Dako tek kandidati për Shijakun: Të gjithë emrat e përmendur në përgjimet e "Bild"

Përgjimet e sotme të publikuara nga "Bild" kanë tronditur skenën politike të vendit duke konfirmuar kështu kontrollin e votës nga grupet kriminale përmes shantazhit apo blerjes.

përgjime kanë dalë në skenë një numër jo i vogël i zyrtarëve të PS në Durrës dhe Shijak, të cilët flasin me vëllezërit Avdylaj për çështje të votave për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.

Por, kush janë zyrtarët që janë kapur në përgjime?

I pari është Vangjush Dako, i cili është përgjuar me Astrit Avdylajn, i cili e pyet nëse kishte fjetur mirë pas takimit me Ramën.

Në "rrjetë" ka rënë edhe kreu i Ujësjellësit të Shijakut, Ivo Doçi, i cili duket i gatshëm për t'i dhënë Astrit Avdylajt listën e kundërshtarëve politikë që janë të punësuar duke ditur se atyre do t'u bëhet presion që të japin votën, pasi në të kundërt do të largohen.

Elton Arbana, kandidati i PS për këto zgjedhje në bashkinë e Shijakut është një tjetër emër i kapur në përgjime duke i thënë Astrit Avdylajt se do të ndërhynte për të hequr një gjobë të INUK-ut me vlerën 5 milion lekë.

Po ashtu është kapur edhe Ilir Ndraxhi, deputet i PS, ndërsa Arjan Ndraxhi është vëllai i tij. Ardian Kokomani, kryetari aktual i Bashkisë së Shijakut është përgjuar gjithashtu duke marrë urdhra nga Avdylajt për të qenë i pranishëm në një takim ku do të jetë edhe Vangjush Dako.

Ani Dyrmishi është një tjetër emër. Kur janë bërë përgjimet ai ka qenë Drejtor i Hipotekës, ndërsa aktualisht është drejtor i Përgjithshëm i hekurudhave shqiptare.

Ndërkohë, një tjetër emër që përmendet në këto përgjime të dy viteve më parë, është Vath Alla, një qytetar nga Ishmi që pretendon një tokë në bregdetin e Kepit të Rodonit, dhe mik i afërt me Avdylajt. /albeu.com/
Shtuar më 05/06/2019, ora 15:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori