Avokati i Popullit publikon raportin për KED: Shkeljet nga Ardian Dvorani

Me anë të një njoftimi, Avokati i Popullit thotë se ka evidentuar probleme në mbledhjet e KED përgjatë vitit 2019.

“Ndër këto problematika spikasin ato të vërejtura gjatë procedurave të hedhjes së shortit për krijimin e KED, mbledhjet dhe njoftimet për mbledhje të këtij institucioni, pjesëmarrja në mbledhje, procedurat e ndjekura nga KED për verifikimin e plotësimit të kushteve formale për vlerësimin e kandidaturave, vlerësimin e kandidatëve, transparencën e organit të KED-së, respektimin e afateve nga ana e saj, etj”, thuhet në deklaratë.

Sipas raportit, pavarësisht se institucioni i Avokatit të Popullit e ka pasur detyrim të thirret në të gjitha mbledhjet dhe pavarësisht se nuk është thirrur dhe për pasojë nuk ka marrë pjesë, në vendimet e KED thuhet se Avokati i Popullit ka qenë prezent.

“Më konkretisht, fakti i përjashtimit të institucionit të Avokatit të Popullit nga veprimtaria e KED-së, sipas normave të caktuara në vet rregulloret e brendshme të këtij organi publik, nuk pasqyrohet në Vendimet e KED-së.

Në pjesën hyrëse të të gjitha vendimeve të KED-së thuhet se, Avokati i Popullit ka qenë prezent, në pjesën arsyetuese thuhen mendimet e dhëna nga Avokati i Popullit për çështjen në fjalë, por në asnjë rresht të këtyre Vendimeve nuk thuhet që Avokati i Popullit, nuk ka qene prezent në momentin e diskutimeve për problematikat e ndryshme që mund të rezultojnë për kandidatët, si dhe në momentin e votimit”, thuhet në raport.

Në raport konstatohet se KED nuk ka publikuar diskutimet e anëtarëve në procesverbalin e përmbledhur të mbledhjeve.

“Avokati i Popullit mban qëndrimin se, në procesverbalin e përmbledhur të mbledhjeve të KED-së, duhet të pasqyrohen edhe vendimet/diskutimet e anëtarëve të KED-së dhe jo vetëm ato të kryetarit të KED-së, vëzhguesit të përhershëm pra, të Avokatit të Popullit dhe të të ftuarve të tjerë (përgjithësisht përfaqësuesit të institucionit të Presidentit të Republikës), sikurse edhe ka ndodhur deri më tani”.

Mos përfshirja e diskutimeve në procesverbal, Avokati i Popullit thotë se kjo bën që të mos pasqyrohet saktë ajo që ka ndodhur realisht në këtë institucion.

Sa i përket kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Avokati i Popullit nënvizon se KED nuk ka dorëzuar listën (inventarin) e dokumenteve të përcjella.

“Mungesa e kësaj liste ka rëndësinë e saj gjatë procesit të verifikimit të dosjeve të dërguara nga KED-ja në institucionin e Avokatit të Popullit, pasi nuk jep siguri dhe nuk garanton numrin e akteve të administruara nga Relatori gjatë procedurës paraprake të zhvilluar prej tij, si dhe nuk konfirmon vërtetësinë e numrit të dokumenteve që janë pjesë e dosjes së kandidatit”, thotë raporti.

Më tej thuhet se dokumentacioni i dërguar ka patur mangësi, gjë që e ka vështirësuar së tepërmi krijimin e një opinioni objektiv dhe të saktë, për procedurat e ndjekura nga ana e KED-së, si dhe ka bërë të pamundur për Avokatin e Popullit, dhënien e një mendimi shterues për plotësimin e kritereve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për secilin nga 42 kandidatët.

Më tej thuhet se “asnjëherë nuk ka patur evidencë të tërë materialeve që përmban dosja”.

Të gjitha këto mangësi, kanë sjellë “pasoja pikërisht në ushtrimin e kompetencave nga ana jonë gjatë veprimtarisë së KED-së, dhe nuk respekton parimin e luajalitetit kushtetues në marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy organeve publike”.

Përgjegjësitë e kreut të KED-së sipas raportit

Avokati i Popullit vëren se kreu i KED-së, Ardian Dvorani nuk ka lajmëruar rendin e ditës për anëtarët siç parashikohet në ligj në fund të mbledhjes pararendëse. “Në mjaft raste gjatë veprimtarisë së KED-së për vitin 2019, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe rendi i ditës i është bërë me dije anëtarëve të KED-së, vetëm kur ju është dërguar njoftimi për mbledhje”.

Tjetër shkelje nga ane zt.Dvroani sipas raportit, është mospublikimi për 11 (njëmbëdhjetë) muaj rresht i procesverbaleve të plota dhe atyre të përmbledhura, të mbledhjeve të KED-së, apo mospërcjellja për njohje, apo për diskutim e kërkesave të Avokatit të Popullit drejtuar KED-së, anëtarëve të tjerë të KED-së.

Ndërkohë, pas shkarkimit të kreut të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori më 26 korrik 2019, në faqen e Gjykatës së Lartë nuk u bë më asnjë njoftim për vendet vakante, ndërsa ushtrues i detyrës së kryetarit të kësaj gjykate ishte pikërisht Ardian Dvorani.

“Jo vetëm u ndërpre ky proces (nuk u bë më asnjë shpallje), por për më tepër nuk është dhënë ndonjë shpjegim (as në mbledhjet e KED-së dhe as në raportin vjetor të KED-së për vitin 2019) për arsyet e këtij mosveprimi”, thuhet më tej.


Shtuar 17.06.2020 16:04