COVID-19 vret 2 shtetas të infektuar në 24 orët e fundit

Ministria e Brendshme ka bërë më dije se dy persona kanë ndërruar jetë nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit, mes të cilëve është një paciente pa sëmundje shoqëruese.

Ndërkohë janë shënuar 108 raste të reja me Covid.

Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin Covid1, një 68 vjeçare nga Shijaku me disa sëmundje bashkëshoqëruese. Ka humbur jetën në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi, një 60 vjeçare nga Tirana, pa sëmundje të tjera.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 125 pacientë, 17 janë në terapi intensive dhe 7 pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit, janë kryer 502 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 108 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 52 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 7 në Kukës, 6 në Fier, 5 në Mirditë, 4 në Tropojë, nga 3 raste në Vlorë, Kamëz, Përmet, nga 2 raste në Elbasan, Tepelenë, Memaliaj, nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Lezhë, Has, Berat, Pogradec, Prrenjas.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 41 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 2830, që nga fillimi i epidemisë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, bareve, restoranteve institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.

Telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare 127 nëse keni shenja të sëmundjes, dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për informacion rreth Covid19 apo këshillim psikologjik.


Shtuar 29.07.2020 14:24