Italia nën pushtetin e shiut, paralajmëron meteorologu: Tokat nuk thithin më ujë, do të ndodhin përmbytje

Italia është goditur sërish nga moti i keq, pas përmbytjeve të javëve të fundit, këtë herë në zonën Macerata.

Shiu i dendur i ditës së djeshme zgjati ploty tre orë dhe përmbyti rrugë, banesa e shkatërroi pemë.

Zonat e Macerata, Pollenza dhe Tolentino ishin më të prekurat, teksa situata është më kritike në fshatrat Villa Potenza dhe Sforzacosta ku ka disa njerëz të evakuuar nga katet e poshtme të ndërtesave.

Sipas meteorologut Lorenzo Tedici, zonat më të prekura përkatësisht Deti i Poshtëm Tirren dhe Emilia Romagna.

Tedici tha se janë duke u përballur me një fazë të jashtëzakonshme të motit, duke thënë më tej se një periudhë e tillë me shi nuk ka ndodhur përgjatë 20 viteve të fundit, duke përjashtuar vitet e jashtëzakonshme si 2013 dhe 2019. “Në këto zona të vendit tonë ra shi, ra dhe do të bjerë në mënyrë të jashtëzakonshme. Tokat janë të ngopura, nuk thithin më shi dhe përmbytjet e shpeshta do të ndodhin. Alarmi ka qenë i kuq prej ditësh në Itali, për shkak të motit të keq që godet vazhdimisht. Më parë kishte pak ujë me një thatësirë dramatike, tani ka shumë. Ndoshta edhe faji i ndryshimit të klimës”, tha ai.

Probleme pati gjithashtu edhe në Pollenza dhe Casette Verdini, për shkak të përmbytjeve të rrugëve, kopshteve, dhomave të bodrumit dhe katit përdhes të shtëpive, rrëshqitjeve së baltës dhe pemëve të rëna në rrugë.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të zhdukur.

 


Shtuar 6.06.2023 17:02