Çfarë pasoja ka paralajmëruar BE-ja për palën që e shkel marrëveshjen Kosovë-Serbi?

BE-ja refuzon ta evidentojë shkeljen e qartë që Serbia ia bëri marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Marrëveshja e fundit u mendua se do të zbatohej pikërisht për shkak të paralajmërimit që palët kishin marrë nga Brukseli se do të përballeshin me pasoja të mëdha në rast se nuk do ta bënin. Dhe, Serbia, ashtu siç kishte paralajmëruar, e shkeli marrëveshjen qartë dhe pa u penduar, ndërkohë që BE-ja tani zgjodhi të heshtë.

Në fillim të kësaj jave zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve u vu në provë. Dhe Serbia e shkeli. Kosova mori një lajm të mirë pasi Komiteti i Ministrave votoi me shumicë të votave për ta proceduar aplikimin e saj në Asamblenë Parlamentare, por Serbia votoi kundër, së bashku me gjashtë vende tjera.

Votimi kundër i Serbisë përbën shkelje të dukshme të marrëveshjes, sipas së cilës, të dyja vendet nuk do të duhej ta pengonin njëra-tjetrën në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe që Serbia të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç janë pajtuar për këtë më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër. Por pas diskutimeve tërëditore në takimin e fundit, Vuçiç kishte treguar hapur se s’e kishte fare në plan ta zbatonte marrëveshjen me përpikëri, siç kërkonte Bashkimi Europian.

“Unë them se do t’i zbatojmë shumicën e gjërave, por nuk do të zbatoj asgjë për sa i përket OKB-së, as për njohjen de facto dhe de jure të Kosovës”, kishte thënë Vuçiç në një konferencë për media.

Pasojat që i kishte paralajmëruar BE-ja

Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje që prej nisjes së dialogut dhe shumica e tyre nuk janë zbatuar duke i lënë palët duke e fajësuar njëra-tjetrën.

Për këtë shkak, në marrëveshjen e fundit ishte një pikë që parashihte pasoja të drejtpërdrejta për cilëndo palë që s’e zbaton dhe e shkelë marrëveshjen.

“Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që ato e marrin nga BE-ja”, thuhej në pikën e fundit të marrëveshjes.

Pasi Vuçiq paralajmëroi shkeljen e marrëveshjes, zëdhënësin e Bashkimit Europian, Peter Stano, gazetarët e kishin pyetur se “a ka vdekur Marrëveshja”

“Marrëveshja është gjithsesi e gjallë dhe në lëvizje”, kishte thënë ai më 11 prill, duke shtuar se nuk komentojnë “deklaratat e mundshme pa e njohur kontekstin”.

“Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që t’i zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj”, ka thënë Stano duke shtuar se moszbatimi do të ketë pasoja edhe për reputacionin ndërkombëtar.

Ai ka thënë se zbatimi i kësaj marrëveshjeje është kyç që palët të dëshmojnë se janë partnere të besueshme për BE-në.

Një komitet monitorues u themelua për ta mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes. Stano tha se do ta monitorojnë nivelin e zbatimit dhe se në rast se konstatohet se s’është zbatuar, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.

“Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Europian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacionin por edhe pasoja financiare”, ka thënë ai.

Më herët, Stano i pati thënë Gazetës Express më 24 mars se “moszbatimi do të thotë ta braktisësh rrugën drejt BE-së”.

BE-ja tash ka zgjedhur të heshtë

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano tha të martën në një konferencë për media se “janë në dijeni” që Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës.

Ai ishte i vendosur për të mos iu përgjigjur pyetjes konkrete nëse BE-ja konsideron se Serbia e shkeli marrëveshjen.

“Unë mund ta përsëris që jemi në dijeni për votimin e bërë dje në Këshillin e Europës”, vazhdonte shmangien Stano.

Një prej gazetarëve i kërkoi Stanos që të përgjigjej thjesht me “po” ose “jo” dhe pasi tre gazetarë e pyetën për të njëjtën gjë, organizatori i konferencës vendosi në njëfarë mënyre t’ua bënte të qartë të tjerëve që të mos pyesnin më për të njëjtën gjë, pasi s’do të merrnin përgjigje.

Kryeministri Albin Kurti tha se Beogradi nuk ka gatishmëri për ta zbatuar marrëveshjen dhe se kjo “është për të ardhur keq”. Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që aleatët e Kosovës t’i bëjnë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet e saj nga marrëveshja.

Serbia e kërcënon Perëndimin me ndryshime “të thella” në politikën e jashtme

Pas përparimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq qartazi nuk u brengos për shkeljen e marrëveshjes me vetëdije. Ai thjesht u indinjua që shumica nuk votoi kundër sikur Serbia, duke e kërcënuar Perëndimin që e mbështeti Kosovën në këtë hap, se Beogradi do të bëjë “ndryshime të thella dhe thelbësore” në politikën e jashtme.

Pasi i falënderoi vendet që votuan kundër dhe shprehu zhgënjimin me ato që votuan pro, Vuçiq përmendi një strategji të re të politikës së jashtme serbe. Ai paralajmëroi reciprocitet me vendet tjera për shkak të Kosovës, duke iu referuar disi Ukrainës, e cila nuk votoi kundër, por abstenoi për aplikimin e Kosovës në KiE.

“Kemi vendosur t’i respektojmë më shumë vendet mike ndaj Serbisë. Të kujdesemi për politikën dypalëshe dhe të mos kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin”, tha Vuçiq.

“Përse duhet të nxitojmë të mbrojmë integritetin e dikujt, mund të heshtim nëse janë kundër integritetit të Sërbisë. Këto do të jenë ndryshime të thella dhe thelbësore në politikën e jashtme të Sërbisë”, tha ndër tjerash presidenti serb.

Ai tha se në Islandë do të votohet akti i radhës ligjor ku vendet do të deklarohen unanimisht për integritetin territorial të Ukrainës, duke paralajmëruar qëndrim të ri.

“Ne kemi qenë përherë për integritetin territorial të Ukrainës, do të shohim se çfarë vendimi do të marrim. Kur nuk ka konsensus, nuk ka vendim. Nëse do të ishim të vetmit që do të ishim kundër, nuk do të ishte e lehtë. do t’a vendosnim vendin në një pozitë të vështirë. Nuk dua të paragjykoj sesi do të votojmë, por do ta bëjmë të ditur se nuk jemi dakord”, tha Vuçiq.

Edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq foli për “korrigjime” në qëndrimet e Serbisë karshi disa vendeve, bazuar në votën e tyre të fundit në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës për kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

Ai tha se “askush nuk mund të votojë kundër Serbisë dhe nesër të vijë dhe të thotë se është miku ynë”.

“Dhe integriteti territorial i askujt nuk mund të jetë më i rëndësishëm se i yni”, ka thënë Daçiq duke aluduar në abstenimin e Ukrainës.

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës të hënën votoi me mbi 2/3 e votave të shteteve anëtare pro procedimit të aplikimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Europës. Me këtë hap, Kosova përmbylli fazën e parë të anëtarësimit.

Tash pritet që Asambleja Parlamentare do të diskutojë dhe votojë në një takim të radhës për një raport të cilin do ta përgatisë vetë. Raporti mund të shqyrtohet në qershor ose tetor.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022./Express/


Shtuar 27.04.2023 15:17