A do të kërkohen teste në kufi për kosovarët? Përgjigjet Spasovksi

Kryeministri Oliver Spasovski, deklaroi se Qeveria urgjentisht do ta shqyrtojë propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për dorëzim të obligueshëm të testit PCR jo më të vjetër se 72 orë për të gjithë qytetarët të cilët hyjnë në vend nga Kosova, Serbia, BeH dhe Mali i Zi dhe mbi bazë të kësaj do të marrë vendim.

“Sot ka një propozim të tillë nga Komisioni për Sëmundje Infektive, do ta shqyrtojmë në momentin e parë dhe mbi bazë të kësaj do të marrim vendim”, deklaroi kryeministri Oliver Spasovski gjatë vizitës së sotme në Kumanovë në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka informuar se në mbledhjen e së mërkurës, Komisioni për Sëmundje Infektive solli vendim që t’i propozoj Qeverisë që prej ditës së enjte gjatë hyrjes në vendin tonë për të gjithë qytetarët e Serbisë, Kosovës, Bosne e Hercegovinës dhe Malit të Zi, të jetë e obligueshme që të paraqesin test PCR jo më të vjetër se 72 orë. Rekomandimi i komisionit është sjell pas shqyrtimit të situatës epidemiologjike në vendet e theksuara dhe në pajtueshmëri me informatat e marra nga autoritetet shëndetësore në këto vende.


Shtuar 8.07.2020 12:51