“Keni për të bërë gjakderdhje kot”, flasin banorët në Borizanë: Gurorja vijon punën sikur nuk ka ndodhur asgjë

Komisariati i Krujës “u shkri” dhe drejtuesit u shkarkuan, passkandalit të dhunës ndaj dy anëtarëve të fisit Maja, nga familjarë të deputetit tashmë të dorëhequr, Rrahman Rraja.

Shkak për dhunën e rëndë u bë një gurore, e cila sipas banorëve, pavarësisht dhunës së rëndë të dy ditëve më parë, vazhdon punën pa asnjë shqetësim.

Banorët kanë treguar për gazetarin Igli Çelmeta se janë bërë dhjetëra denoncime, por nuk janë marrë parasysh.

Ndër të tjera, ata tregojnë se prej gurores kanë hyrë në konflikt dy fiset më të mëdha të Krujës dhe paralajmërojnë ngjarje të tjera nëse autoritetet nuk reagojnë.

“Kemi bërë 40 denoncime, por i kanë lënë në sirtar. Në Dukagjin ka 100 vjet që nuk ikën gjakmarrja, tani shteti e ka fut edhe në Krujë. Nuk ka shtet këtu o vëlla. Këtu nuk ka kriminelë, por të parët janë policët e Fushë-Krujës dhe të dytët vijnë në Tiranë që nuk i komandojnë të Fushë-Krujës. I bëj thirrje Edi Ramës sepse keni për ta bërë gjakderdhje kot. A mund t’i dalin familjes para me gjithë atë dhunë që kanë bërë? Unë më mirë pranoj vdekjen se atë dhunë barbare, se nesër pasnesër më thotë gruaja ‘mos e ngre zërin se të kanë rrahur e s’ke surrat të më shohësh’.  A ka shtet a jo, a të shkojmë të vrasim veten a çfarë të bëjmë… Prej shtëpie na nxorën. Kanë hyrë në hamësi dy fiset më të mëdha të Krujës, se keni për t’ia dëgjuar krismën po nuk ndërhyri shteti”, tha një nga banorët.

 


Shtuar 8.07.2023 19:47