Zbardhet megaoperacioni anti drogë në 4 qarqe: “Qafa e Helmit” vuri në pranga 9 shtetas

Policia e Shtetit dha sot detajet e operacionit dy ditore, të organizuar në katër qytete të vendit, për goditjen e një grupi kriminal që dyshohet se trafikonte drogë.

Megaoperacioni policor i koduar “Qafa e Helmit”, u zhvillua nga Drejtoria Hetimore, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, FNSH, DVP Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe SHÇBA.

GJKKO ka caktuar për nëntë persona masën e arrestit me burg, ndërsa për dy persona është caktuar arrest shtëpie dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim.

Policia e Shtetit:

Përmbyllet megaoperacioni policor i koduar “Qafa e Helmit”, i nisur në orët e para të mëngjesit të datës 20 shtator dhe i përfunduar në orët e mbrëmjes së djeshme.

Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Hetimore, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, FNSH, DVP Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe SHÇBA, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Operacioni i zhvilluar në Lezhë, Tiranë, Shkodër dhe Durrës, për ekzekutimin e urdhrave të lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, pas hetimeve të kryera nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un.

Mbi bazën e provave materiale të sekuestruara dhe veprimeve procedurale të kryera janë caktuar masat e sigurisë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

Masat e sigurimit personal “Arrest në burg” për 9 shtetas:

  1. N. alias Gj. N., 40 vjeç, banues në Gurrat, Lezhë, L. K. alias N. K., 33 vjeç, banues në Dragush, Dajç, Lezhë, Z. L., 47 vjeç, banues në Shënkoll, Lezhë, I. P. alias P. Gj., 35 vjeç, banues në Kcirë, Flet, Pukë, Y. V., 34 vjeç, banues në Tapizë, Fushë Krujë, Gj. K. alias E. K., 35 vjeç, banues në Durrës, A. K., 35 vjeç, banues në Lufajt, Mirditë, T. L., 45 vjeç, banues në Perlat, Mirditë dhe M. Rr., 35 vjeç, banues në fshatin Arrëz, Mirditë.

Masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për 2 shtetas: S. M. alias S. L., 17 vjeç dhe E. S., 17 vjeç, të dy banues në Dom, Pukë.

Janë shpallur në kërkim 4 shtetas: T. Sh., 33 vjeç, banues në Lezhë, G. M., 31 vjeç, banues në Kalivac, Ungrej, Lezhë, G. S., 44 vjeç, banues në Dom, Pukë (të tre me masë “Arrest në burg”) dhe D. L., 17 vjeç, banues në Dom, Pukë (me masë “Arrest në shtëpi). Vijon intensivisht puna për kapjen e tyre.

Gjithashtu, Gjykata ka vendosur lejimin e kontrolleve në banesa dhe ambiente të ndryshme të shtetasve N. N., M. N., A. V. dhe V. D., si dhe të shtetasve të arrestuar, në Lezhë, Tiranë, Shkodër, Pukë, Durrës.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 qese me fara cannabis, një shumë eurosh dhe një automjet.

Ky operacion është në vijim të operacionit policor “Qafa e Helmit 1”, i zhvilluar në muajin gusht 2021, nga ana e Drejtorisë Hetimore, si rezultat i të cilit janë asgjësuar 4000 rrënjë cannabis sativa.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar që ky grup kriminal ka organizuar kultivimin e bimëve narkotike në Mirditë, në zonën e fshatit Arëz, Kaçinar, në zonën midis fshatrave Perlat i Epërm dhe Lufajt dhe në Pukë, në vendet e quajtura Qafa e Helmit, fshati Shkozë, Gomsiqe dhe Plet.

Nga ana e Drejtorisë Hetimore në lidhje me këtë procedim janë arrestuar më parë edhe shtetasit:
– P. L., 45 vjeç, të cilit i janë sekuestruar 37 kg e 450 cannabis sativa;
– H. M., 53 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, të cilit i janë sekuestruar 12 kg cannabis sativa;
– N. C., 64 vjeç, banues në fshatin Plet, Pukë, të cilit i janë sekuestruar bimë narkotike të kultivuara në territorin e banesës.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë gjetur vendin ku kryhej përpunimi i bimëve narkotike në mes të pishave në fshatrat Gomsiqe e Pletë të Pukës, ku u sekuestruan 28.73 kg cannabis sativa që u gjetën në një vend të përshtatur në formë kasollesh, të mbuluar me plastmas.

Gjatë hetimeve ka rezultuar që në këtë veprimtari ka të implikuar edhe punonjës policie, për të cilët veprimet procedurale i ndjek SHÇBA.

Të gjitha materialet për ekzekutimin e këtij vendimi i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për veprime të mëtejshme.

Sqarojmë faktin se për shkak të kohëzgjatjes dhe pjesëmarrjes së shumë strukturave në operacion, si dhe kryerjes së veprimeve të shumta hetimore dhe operacionale, informacionin zyrtar po e bëjmë me dije sot.

 


Shtuar 22.10.2021 11:14