De Biasi motivon Shqipërinë para Izraelit dhe tregon si fitohet: Reja ka ekip më cilësor se unë

De Biazi ka motivuar Shqipërinë përballë sfidës së sotme ndaj Izraelit në Air Albania.

Por në një pikë është i drejtpërdrejtë: “Kjo Shqipëri është më cilësore se ajo që drejtoja unë”, thotë ai ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Nuk është intervistuar rastësisht nga gazeta! Shqipëria sot luan kundër Izraelit, një skuadër me të cilën është ndeshur dy herë nën drejtimin e De Biazit dhe ka një rezultat “pasqyrë”: humbi 3-0 në shtëpi dhe fitoi 3-0 në transfertë. Humbjen më 12 nëntor të vitit 2016 De Biazi ia faturon arbitrit Deniz Ajtekin. “Luajtëm pothuajse që nga fillimi i ndeshjes me një lojtar më pak. I kuqi dhe penalltia që dha praktikisht paracaktuan rezultatin e ndeshjes.

De Biazi, a e dini me kë luan Shqipëria nesër (sot)?

Oh, ç’pyetje… Vërtetë kam disa vite që jam larguar, por duhet të kuptoni që unë jam gjithnjë i informuar për Shqipërinë. Luani kundër Izraelit.

Kur e drejtonit ju Kombëtaren Shqipëria humbi 3-0 në shtëpi ndaj Izraelit. A duhet të kemi frikë këtë herë?

Kur e drejtoja unë Kombëtaren edhe kemi fituar 3- 0 kundër Izraelit… Mirë është që t’i përmendni të dyja ndeshjet (qesh). Shikoni, Shqipëria nuk ka asnjë arsye t’i trembet Izraelit dhe asnjë skuadre tjetër. Ajo ndeshje që kemi humbur këtu ka qenë e kushtëzuar nga arbitri.

Nëse Reja ju kërkon një këshillë për këtë ndeshje, çfarë do t’i thoshit?

Së pari, Shqipëria ka një skuadër vërtetë cilësore dhe një trajner ekspert, ndaj Reja nuk ka nevojë për këshillat e mia. Ai e njeh shumë më mirë Shqipërinë sesa unë. Së dyti, jam i bindur që kjo ndeshje nuk ka lidhje me atë të nëntorit 2016. Nuk kemi pse bëjmë paralelizma. Jemi në situata krejt të ndryshme. Së treti, Shqipëria mjafton të shpalosë potencialin që ka dhe jam i bindur se nesër (sot) pas ndeshjes të gjithë shqiptarët do të jenë të kënaqur.

Si mendoni, pas largimit tuaj, Shqipëria është përmirësuar apo jo?

Unë mendoj se Shqipëria sot ka një grup lojtarësh teknikisht me një nivel më të lartë se koha kur unë e drejtoja.


Shtuar 10.06.2022 11:27