"Mos e publiko intervistën me vajzën e abuzuar", Arbana Osmani i kthehet Gjikondit (FOTO LAJM)

Pak ditë më parë moderatorja Arbana Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se në emisionin e ardhshëm do të publikohet rrëfimi i një vajze të abuzuar seksualisht.

Shumë njerëz kanë reaguar kundër publikimit të ngjarjes, përfshirë avokaten dhe aktivisten, Brizida Gjikondi e cila përmes një postimi në Facebook i kërkon Arbana Osmanit të mos publikojë një tragjedi të tillë.

Gjikondi shkruan se gratë dhe vajzat shqiptare duhet ti japin një shtysë shtetit shqiptar që të hetojë dhe parandalojë abuzime të tilla. Gjithashtu ajo bën thirrje për pjesëmarrje në protestën e sotme kundër dhunimit të vajzave dhe grave.

Pas kësaj kërkese, ka reaguar edhe Arbana e cila shprehet se publikimi i intervistës ishte kërkesë absolute e vetë vajzës për t’iu dhënë guxim të tjera viktimave që janë përballur me të njëjtat tragjedi si ajo.


Moderatorja shprehet se është e padrejtë t’u mbyllësh gojën vajzave që nuk kanë gjetur mbështetje në asnjë institucion dhe që e vetmja që mund ta dëgjojë e ta përcjellë mesazhin e saj është media.

Të shtunën më 6 qershor tek “Dua të të bëj të lumtur” një vajzë do të rrëfejë për herë të parë në një studio televizive se si është abuzuar që në moshën 12-vjeçare nga roja e Jetimores së Shkodrës. Moderatorja tregoi pak ditë më parë se edhe pasi e ka denoncuar në polici, ky i fundit ka abuzuar me të.

Reagimi i plotë i Brizida Gjikondit:

Të lutem Arbana mos ! Nuk mund ta bësh këtë, Nuk mundesh. Ka ditë që kjo histori më ka përzjerë stomakun dhe shpirtin sidomos, por kam heshtur. Po kur pashë reklamën tënde mu zbraz stomaku. Të paktën ne femrat shqiptare pa dallim përkatësie, pasurie, arsimi etj, s’duhet tja bëjmë këtë njëra tjetres… Historia tragjike e 15 vjecares që me gjasa ka filluar që kur ajo ka qenë 13 vjec, është një histori e dhimbshme deri në palcë, përmban çdo realitet shqiptar ajo histori..Përmban imoralitetin e pandëshkuar që ka pushtuar këtë vend, përmban promovimin e femrave seksi qoftë dhe me silikon dhe me dashnorët trafikantë droge që për ironi i quajnë dhe biznesmenë (le të flasim hapur), promovim i cili kthen femrat në plaçkë tregu pa vlerë dhe dinjitet ..

Përmban kotësinë dhe falsitetin e atyre femrave që “falë” diktatit të një mashkulli kryetar partie sot luajnë melodramën e deputetes ose opozitares të prekur në zemër nga kjo tragjedi. Përmban kotësinë e shumë strukturave që ky shtet bashkëpunëtor në krim me heshtjen dhe kodoshllëkun e tij I ka ofruar kriminelëve. Ka ligje, rregullore, akte ndërkombëtare dhe me dhjetra e dhjetra struktura ky palo shtet, gjoja për të mbrojtur fëmijët, ka Agjensi pompoze për mbrojtjen e fëmijëve, që e di si quhet për ironi… quhet Agjencia Shtetërore e Mbrojtjes së Fëmijëve, po ka Kryetare po ka punonjës, po sidomos ka RROGA QE MERREN KOT !!! Dhe ngjarje si kjo e vërtetojnë. Po ka dhe struktura të tjera që mbrojnë fëmijët ky shtet, i ka në Institucione Kushtetuese, në Polici, sidomos në cdo Bashki…. Dhe të gjitha HANE BUKE KOT !!! Në Shqipëri të shpëton vetëm rastësia dhe klithma e shpirtit, të tjerat janë kot. U mor vesh falë organizatave jo qeveritare rasti i vogëlushes me fëmijëri të vrarë nga Babrruja, po sa krime, përdhunime, vetvrasje dhe inceste i ka mbuluar koha dhe frika në këtë tokë. Ka që kërkojnë dorëheqjen e Ministres, pasi nuk rreshtin së bëri politikë edhe në kësi ditësh, ndërkohë unë do të doja një ndëshkim historik për perversin plak dhe perversat e tjerë ( dhe nuk po ta them cfarë ndëshkimi do propozoja se do tmerroheshe), për Drejtorin e Shkollës sidomos, që sot duhet të ishte mbrapa hekurave duke u dridhur si purtekë, të ndëshkoheshin burrecat dhe ta shikonin dhe ata që fshihen e presin që vala të bjerë.. se cdo të thotë të prekësh me dorë dhe të poshtërosh një femër shqiptare. E kam thënë përherë dhe e ripërsëris, femrën shqiptare E SHPETON VETEM VETJA, jo burrat e aq më pak aleancat dhe kuotat dhe emërimet e tyre politike dhe administrative, përkundrazi, ato kuota dhe ato gra na vrasin shumë më shumë, sepse na tradhëtojnë, i dorëzohen pazarit dhe skllavërisë moderne. Të lutem Arbana, mos e shndrro tragjedinë e femrës shqiptare në një klikim sipërfaqësor mediatik, tragjedia është shumë më e thellë se aq, ti je vajzë e mirë, je e bërë vetë, hajde nesër në marshimin e femrave shqiptare… hajde që ti japim këtij palo shteti një shtysë, që ti bashkrendojë institucionet, punët dhe ti përgjojë të drejtat e fëmijëve në cdo cep të këtij pëllëmbë vendi… hajde.. dhe po erdhe.. misoni yt është shumë më shumë se emisioni i radhës.

Shtuar më 04/06/2020, ora 10:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori