Michel: Po bëhet përparim në liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha të hënën se BE-ja do të japë një përditësim për liberalizimin e vizave për Kosovën. “Ne do të japim më shumë informacion të martën, por mund t’ju them se po bëhet përparim,” tha Michel në një konferencë me kryeministrin slloven Robert Golob.

“Ne mund të shohim se hapa të rëndësishëm janë bërë kohët e fundit. Nesër dëshirojmë të kemi një deklaratë të përbashkët që do ta afrojë Ballkanin Perëndimor edhe më pranë Bashkimit Evropian,” shtoi ai.

Javën e kaluar, ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së ranë dakord për t’i dhënë dritë jeshile bisedimeve të Presidencës së Këshillit Evropian me Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.