Manjani zbulon nenin e shkelur nga Rama: Përgjegjës për vrasjen e të miturës

Ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka treguar nënin e shkelur nga kryeministri Edi Rama, lidhur me vrasjen e 7-vjeçares në Himarë.

Manjani ngarkon me përgjegjësi Kryeministri Edi Rama, Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi si dhe Ministren e Turizmit Mirela Kumbaro për vrasjen e 7-vjeçares në Himarë.

Postimi i Manjanit:

Ja ku e keni edhe nenin që ngarkon me përgjegjësi Edi Ramën dhe ministrat e Tij të Turizmit dhe të Brendshëm. Ligji me numër 43 i vitit 2020, ka rregulluar lundrimin detar për qëllime turistike. Që ky ligj të zbatohet,duhej që Edi Rama dhe ministrat e Tij të bënin disa akte nënligjore, brenda 6 muajve i ka urdhëruar Parlamenti!!!

Me këto akte sigurohet regjistrimi i mjeteve, pronësia e tyre, përdorimi, rregullat e përdorimit e çdo gjë që i bën ato të sigurta. Por hiç! As 6,as 12,as 24 e as hiç muaj. As Edi e as ministrat përgjegjës nuk e qethën fare. Ah po, kanë bërë vetëm një udhëzim për të dhënë lejet e drejtimit, po ato kryesoret hiç. Po meqë janë “dashnorët” e përgjegjësisë individuale, ja ku e kanë ligjin e shkelur. Ja se si e kanë shpërdoruar detyrën duke krijuar pasojë të rëndë, humbjen e jetëve njerëzore!

Kujtoj se në paraburgim ka sot zyrtarë që s’i kanë bërë asgjë detyrës, por janë në burg. Ndërsa Edi &co tallen me detyrën sipas qejfit, duke marrë jetë njerëzish e s’u hyn gjëmb në këmbë!!! Dakord, nuk do politikë, po ligj do?! Ja ku e ka! E ka shkelur me të gjitha këmbët. Kjo papërgjegjshmëri i bën përdoruesit e mjeteve lundruese të sillen si të duan. Ndoshta rasti i policit kriminel,nuk do kishte kuptim as ligji, por së paku do dallohej edhe mëqartë përgjegjegjësia individuale e tij. Sot këtë përgjegjësi e mban Edi Rama dhe të paktën 2 ministra përgjegjës. Jo për gjë po e kishin përgatitur më së miri këtë sezon…! E kanë qa.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga gomonia teksa po lahej në det. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, Arjan Tase u shoqërua në polici, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia./albeu.com/