Missi i parë shqiptar nuk dukej si sot, ja çfarë thonë organizatorët për Valbona Selimllarin (FOTO LAJM)

Missi i parë shqiptar në vitin 1991 akoma përmendet edhe sot si një nga ikonat e bukurisë shqiptare.

26 vite më parë tërhoqi vëmendjen e një jurie kur pa vajzën e ndrojtur që në fakt nuk kishte ndërmend të merrte pjesë në konkursin, për më të bukurën.

Blendi Gonxhe dhe skenaristi Engjell Ndocaj kanë zbuluar këtë të vërtetë në programin “Fol me Mua, Fol me Ata” të Enkel Demit.

Organizatorët kanë treguar se Valbona Selimllari kishte shkuar të shoqëronte një shoqe, nuk kishte marrë rroba banjo me vete dhe qëndronte e strukur pa ia çuar ndër mend të konkurronte, shkruan Gazeta Shqiptare.

“Ne ishim një komision që përzgjidhte vajzat. Në spektakël morën pjesë 24, por erdhën 50 apo dhe më shumë fillimisht. Pavarësisht mungesave, ne po e bënim gjithçka në mënyrë shkencore.

Një bashkëpunëtorja jonë, femër sigurisht, u merrte përmasat trupore me një metër rrobaqepësie. Kishim marrë edhe një peshore të vogël në Ambulancë. E morëm nja 3 herë atë peshore, sa herë kishim faza përzgjedhëse, sepse nuk kishim ku gjenim tjetër.

Vajzat sfilonin para komisionit me rrobat e tyre të banjës. Ato nuk e kishin problem. Më kujtohet që në seancën e fundit përzgjedhëse, kishin ardhur pesë vajza. Katër të parat dhanë emrin dhe sfiluan. Ndërkohë ne pamë edhe vajzën e pestë, që ishte shumë simpatike. Dhe i thamë “po ti pse nuk e jep emrin?”.

“Po unë kam ardhur të shoqëroj shoqen time, Aidën”, tha ajo. “Po pse nuk merr pjesë dhe ti? Ti je shumë e bukur”, këmbëngulën ne. Ajo ishte e drojtur. U përtyp dhe u përtyp, pastaj tha “Po, unë nuk kam rroba banje.” “Po mirë merrja shoqes dhe dil”, këmbëngulëm ne.

Dhe ajo ia mori shoqes, doli, ishte shumë e bukur dhe ne kërkuam ta regjistronim. Ajo na e dha emrin. Ishte Valbona Selimllari.”, kanë rrëfyer ata.

Shtuar më 12/03/2017, ora 13:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori