Mimi Kodheli merr detyrën e ministres së Mbrojtjes (FOTO-LAJM)

Pas marrjes së votëbesimit pasditen e djeshme të qeverisë së re nga Kuvendi i Shqipërisë, sot në Ministrinë e Mbrojtjes u organizua një ceremoni e veçantë me rastin e marrjes së detyrës nga ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli.

Në këtë ceremoni mori pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, komandantët e Forcave, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA. Gjithashtu ishin të pranishëm atashetë ushtarakë të vendeve të NATO dhe atyre partnere të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të Zyrës së ODC dhe CUBIC. Në këtë ceremoni ministrja e Mbrojtjes Kodheli është shoqëruar edhe nga disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Fillimisht, ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, u prit me Truproje Nderi dhe Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi. Në vijim, ministrja Kodheli ka takuar nga afër komandantët e Forcave, gjeneralë, drejtorë, ushtarakë të tjerë të lartë, atashetë ushtarakë etj., që ishin të pranishëm në këtë ceremoni.

Më pas, shoqëruar nga gjeneralmajor Gjunkshi, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka nisur detyrën e re në zyrën e saj të punës. /albeu.com/

Shtuar më 16/09/2013, ora 18:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori