Lirimi i të fortëve nga burgu, çfarë pritet të ndodhë sot në Kuvend

Kjo e hënë do të sjellë në Kuvend, një seancë plenare ku do të zhvillohen tre interpelanca me ministrat e qeverisë Rama.

Sipas urdhërit të Kryetarit të Kuvendit, interpelanca e parë urgjente është kërkuar nga deputeti Artur Roshi me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Interpelanca e dytë është kërkuar nga një grup deputetësh me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për shkak të situatës në burgje, ku disa të fortë janë liruar, dhe të tjerë trajtohen në mënyrë preferenciale.

Duhet thënë se në ditët e fundit ka pasur dhe një amnisti në burgje, por që sipas opozitës numri i përfituesve është shumë i vogël, dhe lë ende pas hekurave të dënuar për krime banale.

Ndërsa interpelanca e tretë është thirrur po nga deputetët e opozitës parlamentare me ministrin Blendi Klosi për dëmtimet të sipërfaqeve me pyjore halore në rrethin e Korçës, Kolonjës, Pukës, Mirditës, Peshkopisë.

Po ashtu në vendin tonë do të mbërrijë sot Presidenti i Parlamentit Europian Sassoli, i cili pritet që të ketë takime me krerët më të lartë të shtetit, si dhe me përfaqësues të opozitës.


Shtuar 3.02.2020 08:00