Vallë, sa vlen "kartoni" i një deputeti në merkaton e politikës shqiptare! (FOTO LAJM)

Ylli Shehu - PR-LSI
Pëlqej
Nëse merkatoja në futboll është mbyllur që në datat 31 gusht dhe 1 shtator dhe tashmë pritet hapja e merkatos së dimrit, në politikën shqiptare "merkatoja" është e hapur gjatë të gjithë vitit kalendarik.

Mjafton të bësh "ofertën" e duhur dhe mund të kesh në partinë tënde ose në grupin tënd parlamentar cilindo deputet.

Njësoj si yjet e futbollit që kalojnë nga njëri ekip në tjetrin, bazuar në shumën që ofrohet për kartonin e tyre dhe pagën vjetore, edhe deputetët e parlamentit tonë ndjekin të njëjtin shembull duke ndërruar ngjyrat e partisë sa herë që u jepet mundësia.

Lëvizja e fundit e bujshme e "merkatos" së politikës shqiptare është deputeti Luan Duzha, i zgjedhur nga votuesit elbasanas me logon e Partisë Republikane, i cili është tashmë deputeti i 19-të i LSI-së dhe i 84-ti i mazhorancës qeverisëse.

Por historiku i ndërrimit të ngjyrës së partisë, është shumë i hershëm dhe gati i kthyer në traditë. 2 momentet më te spikatura mbeten vota e 6 ish-deputetëve të PS për presidentin Topi të dalë nga radhët e demokratëve në 2007 dhe mbajtja në këmbë e qeverisë Berisha për disa muaj me 3 deputetë të PS-së, Kadeli, Islami dhe Dogjani, pas largimit të LSI nga koalicioni.

Ndër vite, shumë deputetë janë larguar nga forca që i ka zgjedhur. Kështu grupi i agrarëve u shkri pas vendimit të Xhuvelit për aleancë me Berishën në 2005. Aleanca Demokratike mbeti pa asnjë deputet, kur Piro Lutaj dhe Hamit Kosta iu bashkuan PS-së. Paulin Stërkaj nga PS kaloi te grupi demokrat, e më pas u rikthye në shtëpi. Tom Doshi bëri një gjest të ngjashëm. Nga PS drejt LSI kaloi edhe Vangjel Tavo mandatin e kaluar.

Gjithë këto lëvizje që bëhen në emër të "moralit" dhe fateve të vendit, të sjellin ndër mend fjalët e të madhit, kryedemokristianit Nard Ndoka, i cili teksa linte opozitën e majtë për t'u bërë zv/ministër i brendshëm në qeverinë Berisha shprehej se: "u largova nga opozita për një opozitë më të mirë".

Por ndryshe nga futbolli ku dihet se Gareth Bale, Cristiano Ronaldo, Edinson Cavani e shumë yje të tjerë kalojnë nga një skuadër në tjetrën për dhjetëra milionë euro, sa vlen realisht "kartoni" i një deputeti shqiptar?.../albeu.com/
Shtuar më 03/10/2013, ora 17:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori