Duhet edhe në karantinë, si të keni një takim romantik me partnerin

Kujt ia merrte mendja se do të përjetonim një pandemi… Bill Gates-it, do thoni ju, po përveç atij, askujt. Natyrshëm, ca gjëra nuk dimë t’i bëjmë, në ca situata nuk dimë si të sillemi, ca rrethana nuk dimë si t’i menaxhojmë.

Nuk mund t’ju mësojmë gjithçka, sigurisht, por mund t’ju japim ide për takime romantike në kushte karantine. Si ta mbani ndjenjën gjallë kur s’takoheni dot? Si të krijoni momente të paharrueshme kur s’jeni në të njëjtin dhomë? Si të mos ndaheni?

Për çiftin që s’është tamam çift

Darkë në distancë: Ide e vjetër, me metoda të reja. Vishuni, gatuani diçka, mbushni një gotë verë dhe “dilni” me partnerin tuaj në Zoom ose FaceTime.

Lojëra fëminore: I keni parasysh E vërtetë apo Sfidë, Dy të Vërteta dhe një Gënjeshtër apo simotrat e tyre? Janë një mënyrë e shkëlqyer për të njohur dikë. Pyetjet që bëjnë dhe përgjigjet që japin janë si një dritare në personalitetin e tyre.

Për çiftin e sapolidhur

Netflix Party: Nisni një serial të ri dhe shiheni bashkë, në distancë. Përdorni Netflix Party për të ndarë ekranin me palën tjetër dhe për të folur në të njëjtën kohë.

Sfidë gatimi: Shpikni një lojë gatimi me natyrë kompetitive. Është argëtuese dhe ju lejon të çliroheni. Për më tepër, rezultatin do ta hani vetë dhe s’e ndjeni presionin.

Për çiftin e konsoliduar

Degustim vere: Dërgojini njëri-tjetrit një shishe verë që mendoni se do u pëlqente. Diskutoni me njëri-tjetrin. Të njëjtën gjë mund ta bëni me ushqime ose ëmbëlsira. Sigurohuni të dërgoni diçka që i pëlqen palës tjetër për të treguar dashurinë.

Rishikim fotos: Zgjidhni fotot e preferuara të njëri-tjetrit dhe argumentoni pse janë të preferuarat tuaja. Gjithashtu mund të flisni për ditët e para të marrëdhënies. Papritur do të ndiheni më mirë dhe më të afërt me njëri-tjetrin.

Për çiftin e karantinuar bashkë

Ndërtoni një kala: Po, një kala si të ishit fëmijë. Merrni çarçafë, jastëkë, drita, gjithë ç’ju duhet. Brenda në kala mund të putheni, shihni një film, e dini vetë ju. Thjesht mos u zini gjatë procesit të ndërtimit.

Sfilatë mode: Zgjidhni veshje për njëri-tjetrin dhe organizoni një sfilatë. Mos harroni të pozoni për foto në fund. Procesin mund ta postoni në Instagram për t’i treguar botës që ju jeni ndryshe dhe s’jemi mërzitur aspak nga karantina.

Spa: Llastoni njëri-tjetrin. Po flasim për maska ftyyre, banjo, shampanjë, manikyr, pedikyr, masazhe me fund të lumtur. Bëni çmos që të ndiheni të lëmuar dhe të relaksuar.


Shtuar 28.04.2020 08:15