Mbërrin në Shqipëri trupi i pajetë i Bujar Nishanit

Trupi i pajetë i ish-Presidentit Bujar Nishani ka mbërritur në Shqipëri. Mbrëmjen e djeshme makina me arkëmortin e ish-Presidentit Nishani kaloi pikën kufitare të Morinës aty ku u zhvillua një ceremoni e improvizuar nga forcat e policisë kosovare në Morinë.

Arkëmorti i tij do të vendoset në sallën “Skënderbeu” në Presidencë, ku familjarët do të presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës. Homazhet do të zhvillohen për dy ditë me radhë.

Sot paradite në orën 10:00-14.00 dhe pasdite 16.30-22.00, familja do të presë vizitat e rastit dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës.

Protokolli i shtetit do t’i zhvillojë ato në Presidencë nga ora 10:00 – 12:00 edhe nesër, për ta përcjellë më pas në banesën e fundit në varrezat e Sharrës.

Pas orës 12:00 arkëmorti me trupin e ish-Presidentit, i shoqëruar nga kortezhi mortor, shkon në këmbë deri në urën që kryqëzon unazën me bulevardin Dëshmorët e Kombit, për t’u nisur më pas drejt varrezave të Sharrës, ku do të zhvillohet ceremonia mortore me fjalime lamtumire.