“Më “mbytën” miq nga Kosova se mbrojta Albinin”, Rama reagon sërish për sherrin në Kuvend: Opozita të distancohet nga një shëmti e tillë!

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me sulmin që iu bë kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në seancën e sotme në Kuvend.

Rama më herët e quajti të turpshme sjelljen e opozitës së Kovosës dhe tha se në Kuvend luftohet me ide dhe argumente, jo me dhunë.

Në reagimin e dytë në Twitter, Rama shkruan se miqtë nga Kosova e kanë kritikuar që ka mbrojtur homologun e tij, pasi ka qenë VV ajo që ka hapur kapitullin e dhunës kur ka qenë në opozitë.

Rama shkruan se Kosova ka rënë poshtë në sytë e rejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj dhe ajo që ndodhi sot po e dëmtin edhe më shumë reputacionin e Kosovës.

Edi Rama: Më “mbytën” miq nga Kosova pse e paskam mbrojt Albinin, se shishen e parë e paska gjujt Bislimi dhe paska qenë VV që e paska hap kapitullin e dhunës në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë! Nuk më duhet kush e ka gjujt shishen e parë, mbase keni të drejtë ju, mbase jo, por nëse demokracia parlamentare katandiset në kush gjujti i pari atëherë kemi një problem edhe me kuptimin e demokracisë, edhe me kuptimin e këtij momenti kyç për Kosovën, e cila nuk ia ka borxh askujt besoj shfaqjen skandaloze të ditës së sotme. Dhe si dikush që e di mirë se sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj, unë vazhdoj mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë!

Por, çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës?

Deputetët e mazhorancës dhe opozitës janë përleshur fizikisht në seancën e sotme.

Dhuna ka nisur gjatë kohës kur ishte duke folur kryeministri Albin Kurti.

Ka qenë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ai që e ka provokuar. Ai është afruar ta lagë me ujë kryeministrin Kurti.

Në këtë moment, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur atë me shishe të ujit në fytyrë.

Pastaj aty janë afruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të opozitës të cilët janë përfshirë në dhunë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka njoftuar policinë, ndërsa seanca është ndërprerë./albeu.com


Shtuar 13.07.2023 15:59