Pique: Na kanë bërë mirë eliminimet nga Roma dhe Liverpooli

Gerrard Pique i ka befasuar të gjithë në konferencë për media të hënën mbrëma, një ditë para përballjes me Napolin në Ligën e Kampionëve.

Qendërmbrojtësi i Barcelonës mendon se eliminimit me përmbysje nga ana e Romës në vitin 2018 dhe Liverpooli në vitin 2019 – vetëm sa e kanë forcuar skuadrën.

Në të dy rastet, Barcelona po fitonte me rezultate bindëse, 4-1 dhe 3-0, por në sfidat e kthimit kishte pësuar humbje drastike 3-0 dhe 4-0, për t’u eliminuar nga Champions League.

“Makthet me Romën dhe Liverpoolin? Nuk do t’i harrojmë kurrë, pasi kanë qenë një pjesë e karrierës tonë. Ajo që mendoj është që edhe nga këto humbje duhet të gjesh gjëra pozitive. Besoj se çdo gjë që do të vijë tani, ne do të jemi gati për ta përballuar. Ndoshta na kanë bërë mirë ato dy eliminime, pasi jam i sigurt që kemi mësuar shumë”, ka deklaruar Pique.

Ai thotë se ndeshja me Napolin s’do të jetë e lehtë. “Nápoli është përmirësuar shumë në ndeshjet e fundit. Nuk e nisi mirë sezonin, por tani janë më mirë. E kanë mposhtur Liverpoolin, Juventusin. Duhet të jemi të vëmendshëm për të evituar frikën”.


Shtuar 24.02.2020 18:42