Behgjet Pacolli: Për hir të Kombit, Atdheut dhe Perëndisë, kërkoni falje Amerikës

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka kërkuar nga Qeveria që të mos rrezikojnë fatin politik të Kosovës.

“Kur bubrreci po ecte në gurin e mullirit i cili rrotullohej për shkak të forcës shtytëse të ujit, bubrreci mendonte që ishte forca e tij që po e lëvizte atë. Kështu, ai e rriti vetëbesimin si i fuqishëm, por ne fakt, ishte vetëm një bubrrec. Lidershipi i Kosovës po vepron njëjtë! Mos veproni sikurse bubrreci sepse nuk rrezikoni vetëm fatin tuaj politik, por fatin e krejt Kosovës! Ndjesinë e bubrrecit e kanë patur shpesh vendet afër nesh por kanë kaluar keq”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ai ka thënë se nuk duhet që të bëhet lojë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe se do të ishte mrekulli nëse këta dy akterë global të bashkohen më shumë rreth Kosovës.

“Çështja e Kosovës nuk guxon të ndajë dy miqtë tanë të mëdhenj. Për më shumë që interesi i tyre i përbashkët është arritja e marrëveshjes së drejtë: mbyllja e një plage për Europën në këto 20 vjet të kohës moderne. Na duhet modesti. Na duhet bashkim mes vete rreth një emëruesi minimal të përbashkët. Prandaj duhet të sillemi plotësisht të vetëdijshëm për peshën tonë ndërkombëtare, për lojën tonë në kohë dhe në hapësirë. Kemi pasur fat dhe mos e mbyteni atë. Me mbytjen e fatit të Kosovës dhe popullit te saj, do të mbytet përgjithmonë edhe fati i juaj politik”, ka thënë ai.

Pacolli ka kërkuar nga Qeveria që të ndalen e të mendohen si dhe të ju kërkojnë ndjesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kush është patriot, kush e do Kosovën, në institucione apo dhe jashtë tyre, brenda territorit apo në diasporë, duhet ta kuptojë se koha për të vepruar është tani! Nuk duhet të lejojmë që të kalohet në veprime ndëshkuese për Kosovën! Kjo do të ishte hedhje në erë e veprës së dëshmorëve dhe heronjëve të kombit në shekuj; shkatërrim i gjithçka që kemi arritur në 21 vjet liri dhe 12 vjet pavarësi! I lutem klasës sonë politike, drejtuesve të institucioneve, ndaluni me këtë sjellje sfide ndaj miqve amerikanë. Madje ndaluni dhe në sfidën ndaj miqve evropianë. Mos mendoni se mund të luani në rivalitetin euroamerikan! Mos shkatërroni fatin e Kosovës për shkak të luftës suaj për pushtet! Vendoseni sesi do të zhvilloni dialogun me Serbinë sipas një Platforme, sipas Rregullash loje që i miratoni me një Ligj të propozuar nga Komisioni i Venecias, dhe luftën për pushtet, për vizibilitet ndërkombëtar bëjeni në ndonjë temë tjetër”, ka thënë ai.


Shtuar 10.03.2020 16:49