Berisha: Rama të heqë dorë nga ligji i amnistisë fiskale

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në një deklaratë për shty, ku  njoftoi edhe emërimin e sekretarit të marrëdhënieve ndërkombëtar të PD. Bëhet fjalë për Enri Ceno.

“Paraqes para PD-së dhe opinionit sekretarin për marrëdhëniet ndërkombëtare, që sipas statusit emërohet kryetari, Enri Ceno. Është një politikan i ri i diplomuar për drejtësi, ka një master në Londër për marrëdhënie ndërkombëtare dhe biznes dhe një seri kualifikimesh në SHBA, në fusha të ndryshme politike. Duke emëruar zotin Ceno në këtë funksion shpreh bindjen më të madhe se zoti Ceno do të përmbushë me dinjitet të plotë këtë detyrë shumë të rëndësishme të PD-së.”, tha Berisha.

Më tej në fjalimin e tij Berisha u ndal te negociatat me BE-në dhe në një nga çështjet më të diskutura ditët e fundit, atë të aministrisë fiskale.

“Në emër të PD-së, e cila ka qenë lokomotivë e proceseve të integrimit, shpreh mirënjohjen më të thellë për BE-në, për vendimin e tyre fisnik për hapjen e negociatave. Unë siguroj BE-në se PD-ja sot në opozitë, do të mbështesë, dhe nesër në pushtet do të marrë dhë miratojë çdo reformë të nevojshme për avancimin e procesit të integrimit të vendit në BE. Unë jam këtu për t’i kërkuar Edi Ramës publikisht që në përgjigje të këtij vendimi fisnik të KE-së të mos guxojë të provokojë partnerët tanë, por të deklarojë se heq dorë përfundimisht nga ligji i amnistisë fiskale, kundër të cilit është shprehur haptas, KE-ja, vendet anëtare të BE-së me karrige bosh në takimin e tij të fundit, janë shprehur kundër Dhomat e Tregtisë të Gjermanisë, Francës, Turqisë dhe Dhomat e Biznesit shqiptar.

Problemi më madh që vendet anëtare kanë me Shqipërinë është kriminaliteti. PD angazhohet se me të ardhur në pushtet ajo do të invalidojë amnistinë fiskale dhe kriminale të Ramës dhe do të vendosë para ligjit të gjithë personat që kanë përfituar nga kjo amnisti, duke u kërkuar origjinën e të ardhurave. Emrat e këtyre personave do tu jepen organeve të vendeve perëndimore që t’i përndjekin edhe atje nëse kanë veprimtari. Shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj BE dhe konsideroj turp qëndrimin bukëshkalë të Edi Ramës nëse ai nuk tërhiqet nga grumbullimi i parave që mafia ka grumbulluar brenda dhe jashtë vendit”, tha Berisha./albeu.com


Shtuar 18.07.2022 12:16