Pas ikjes së Sokol Sadushit, hapet gara për drejtorin e ri të shkollës së Magjistraturës

Shkolla e Magjistraturës hap garën për drejtues të institucionit. Këshilli Drejtues i shkollës që prodhon gjyqtarët dhe prokurorët e rinj, ka shpallur vakant vendin e drejtorit të kësaj shkolle, i mbetur bosh pas emërimit të ish-drejtorit Sokol Sadushi si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Sipas ligjit, kandidatët duhet të kenë diplomë master në juridik, eksperiencë pune jo më pak se 10 vjet për gjyqtarët e prokurorët dhe jo më pak se 15 vjet për juristët. Ata duhet të kenë eksperienca mësimdhënieje në Shkollën e Magjistraturës dhe nuk duhet të kenë mbajtur poste politike në 10 vitet e fundit.

Mandati i drejtorit të Magjistraturës është 4-vjeçar me të drejtë riemërimi vetëm një herë.

Shkolla e Magjistraturës ka marrë vëmendje të theksuar që prej miratimit të Reformës në Drejtësi, pasi me skualifikimin në masë të gyqtarëve dhe prokurorëve nga vetting-u, prurjet nga kjo shkollë duhet të jenë të shtuara.

Këtë vit garojne 277 kandidatë për 100 vende në këtë shkollë.


Shtuar 28.06.2020 16:32