Berisha thirrje qytetarëve: Në 14 maj merrni pjesë masivisht në zgjedhje, votoni ndryshimin

Berisha thirrje qytetarëve: Në 14 maj merrni pjesë masivisht në zgjedhje, votoni ndryshimin

Ish-kryeminstri Sali Berisha ju ka bërë një apel të fortë gjithë qytetarëve shqiptarë, që në 14 maj të marrin pjesë masivisht në votime.

Në komunikimin e tij, Berisha fton qytetarët që të dielën e 14 majit t’i drejtohen qendrave të votimit, për të zgjedhur qeveritarët vendorë, duke ju kërkuar votën për kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Sipas Berishës kandidatët e kolaicionit që ai bashkëdrejton me Ilir Mtën, janë zgjedhur nga vetë qytetarët dhe jo nga oligarkët, prandaj në katër vitet e ardhshme ata do të jenë shërbëtrë të popullit.

Unë jam sot këtu për një mesazh, me të cilin dua t’i drejtohem të gjithë qytetarëve shqiptarë, të marrin pjesë ditën e dielë në votime.

U drejtohem me këtë rast në radhë të parë të rinjve të vendit, të gjithë të rejave dhe të rinjve, të cilët janë sot në Shqipëri. I ftoj të votojnë më 14 maj ndryshimin.

Të votojnë të ardhmen, të votojnë për veten e tyre, të votojnë për bashkëmoshatarët që kanë braktisur Shqipërinë për shkaqe të lidhura direkt me politikat e Edi Ramës.

U bëj thirrje nënave, motrave, grave dhe vajzave të marrin pjesë më shumë se kurrë në këto zgjedhje. Të bëjnë gjithçka që këto ditë të jenë ditët e përkushtimit të madh, për të bindur edhe qytetarin e fundit për të votuar ndryshimin.

Vota për ndryshimin është një votë që çel dyert për një gjendje më të mirë ekonomike, për një konsolidim të familjes shqiptare, për rroga më të larta, për shkollim më të mirë, për kujdes shëndetësor më të mirë.

U bëj thirrje të gjithë burrave, të marrin pjesë në këto votime dhe të votojnë ndryshimini sepse alternativa tjetër është humbja e vendeve të punës dhe largimi nga Shqipëria.

Biznesmenëve u bëj thirrje që të votojnë ndryshimin, që të çelin rrugën, dyert për një politikë të re fiskale nga kandidatët e primareve.

U bëj thirrje fermerëve të marrin pjesë në votime, të votojnë ndryshimin si kushti më themelor për të pasur sukses në fermat e tyre, si kushti i të gjitha kushteve për të pasur ato subvencione që marrin fermerët e tjerë në rajon.

Në tërësi u bëj thirrje punonjësve të administratës, anëtarëve të Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, të votojnë ndryshimin, të mos ndjekin më Edi Ramën, të mos votojnë për këtë monizëm të plotë.

I garantoj se secili prej tyre që ka zbatuar ligjet, do jetë i respektuar, por vota për Edi Ramën është votë për konsolidimin e narkoshtetit dhe pushtetit absolut të një njeriu të papërgjegjshëm.

Edhe njëherë, thirrja ime është të merrni pjesë në votime, mos dëgjoni njeriun që ka frikë dhe tmerr nga vota juaj. Vetë kjo thirrje duhet të zgjojë te ju përgjegjësinë e madhe që keni ndaj vetes, familjes dhe vendit dhe duhet ta ushtroni atë përgjegjësi të lirë.

Zoti ju bekoftë!”, tha Berisha.

 


Shtuar 11.05.2023 14:00