Postoi foto nga kufiri i Bullgarisë për të justifikuar Kakavijën, Rama bën gabimin e rëndë (FOTO LAJM)

“Tradhëtia e tij ndaj shqiptarëve vazhdon edhe sot, kur genjen duke i shitur fotot e 4 viteve më parë në kufirin Bullgaro-Grek si bllokim të kufirit sot, i cili ka zgjatur vetëm pak orë dhe pa arsye të ngjashme me Shqipërinë.”

Sekretari për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Demokratike, Arben Kashahu ka përgënjeshtruar përmes një deklarate kryeministrin Edi Rama, i cili pak më parë publikoi një foto, ku theksonte se e njëjta foto ishte krijuar edhe në Bullgari në kufirin me Greqinë.

Po ashtu sipas Kashahut, kryeministri e dinte “që në 5 Gusht shtrëngimin e masave në kufirin me Greqinë, por nuk gjeti kohë gjatë pushimeve luksoze në rezidencat qeveritare të bëjë qoftë edhe një postim në facebookun e tij për të informuar shqiptarët”.

Në përfundim të deklaratës së tij, sekretari i PD për marrëdhëniet me jashtë thotë: “Prokuroria e Posaçme është thirrur sërish në provë për të treguar se nuk është një strukturë në shërbim të qeverisë dhe se ka guximin të veprojë si një organizëm i pavarur në shërbim të interesit publik.”

Deklarata e plotë:

Edi Rama ka shpërdoruar detyrën në lejimin e krizës humanitare në pikën kufitare të Kakavijës, ku, tragjikisht, humbi jetën edhe një fëmijë.

Kryeministri i vendit i cili është njëkohësisht edhe Ministër i Jashtëm fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, u informua që në datën 5 gusht zyrtarisht për vendimet e marra nga pala greke për të menaxhuar pandeminë me shtetasit që hyjnë në Greqi. 11 ditë më parë Edi Rama e dinte se çfarë do të ndodhte, por vazhdoi pushimet pa e vënë ujin në zjarr për mijëra shqiptarë që e pësuan prej neglizhencës së tij kriminale.

Dokumenti i bërë publik nga Presidenti i Republikës, nxjerr në dritë neglizhencën dhe papërgjegjshmërinë e kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Edi Rama.

Ai nuk bëri asgjë. Shkoi me pushime luksoze dhe i la shqiptarët të dynden në pikën kufitare pa asnjë lajmërim, pa asnjë masë për të parandaluar atë katastrofë humanitare.

Dokumenti i datës 5 Gusht tregon se Edi Rama është përgjegjës i drejtëpërdrejtë për atë që ndodhi në kufijtë tanë me shtetin fqinjë. Ai është përgjegjës për vuajtjet dhe humbjet që pësuan shqiptarët në pritje për të kaluar kufirin.

Tradhëtia e tij ndaj shqiptarëve vazhdon edhe sot, kur genjen duke i shitur fotot e 4 viteve më parë në kufirin Bullgaro-Grek si bllokim të kufirit sot, i cili ka zgjatur vetëm pak orë dhe pa arsye të ngjashme me Shqipërinë.

Shkrimi i gazetës greke Kathimerini që paraqitet në foton e Edi Ramës sot, i përket 2 shkurtit 2016. Megjithatë, asnjë foto nga asnjë kufi tjetër i Europës nuk jusitikon dot dështimin e Ed Ramës dhe braktisjen e shqiptarëve.

Edi Rama e dinte që në 5 Gusht shtrëngimin e masave në kufirin me Greqinë, por nuk gjeti kohë gjatë pushimeve luksoze në rezidencat qeveritare të bëjë qoftë edhe një postim në facebookun e tij për të informuar shqiptarët.

Ky është shpërdorim i pastër detyre që solli si pasojë humbjen e një jete të pafajshme.

Prokuroria e Posaçme është thirrur sërish në provë për të treguar se nuk është një strukturë në shërbim të qeverisë dhe se ka guximin të veprojë si një organizëm i pavarur në shërbim të interesit publik.


Shtuar 17.08.2020 16:12