Dy vite më parë policia i gjeti arsenal armësh në banesë, arrestohet në Spanjë i shumëkërkuari shqiptar, pritet ekstradimi

Një 33-vjeçar është arrestuar në Barcelonë pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Mataro” të vitit 2021.

Në pranga ka rënë Edmir Vlashi (Marku), të cilit i ishte caktuar “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjatë operacionit në fjalë policia gjeti 6 armë zjarri, 1 armë gjahu, 2 kuti me lëndë plasëse C4, shumën 88 900 euro, kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellëse, 2 radio si të Policisë, municion luftarak, 1 automjet dhe celularë.

Në pranga ranë Mark Lamkja, Nikoll Marku dhe shtetasja Marie Marku, teksa u shpall në kërkim Vlashi dhe Hektor Ndoka.

Ky i fundit u arrestua disa muaj më parë po në Spanjë, teksa bashkë me Vlashin dyshohen se kishin planifikuar vrasjen e Preng Palucës në Tiranë, ngjarje kjo që nuk u finalizua. Dyshohet se motiv i tentativës ishte një konflikt për prishje të pazareve të drogës, jashtë vendit.

Njoftimi i policisë:

Bashkëpunim intensiv me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht për vepra të ndryshme penale.

I akuzuar si bashkëposedues i një arsenali të përbërë prej 6 armësh zjarri, 1 arme gjahu dhe lëndë plasëse, kapet në Barcelonë dhe ekstradohet drejt vendit tonë, 33-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Mataro”, të finalizuar nga Policia e Lezhës, në dhjetor të vitit 2021.

Gjatë këtij megaoperacioni, u sekuestrua arsenali i armëve dhe shuma 88 900 euro e dyshuar e përfituar nga tregtimi i armëve, si dhe u vunë në pranga 3 shtetas, të afërm të 33-vjeçarit të ekstraduar nga Spanja.

Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe punës operacionale ndërmjet shërbimeve të ZQK Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, u bë i mundur lokalizimi në Barcelonë, kapja dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar E. V. alias E. M., 33 vjeç, i lindur në Lezhë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar 33-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Më datë 07.12.2021, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Mataro”, në banesën e këtij shtetasi dhe në banesën e të afërmve të bashkëshortes së tij (prindërit dhe vëllai i bashkëshortes, të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij megaoperacioni), shërbimet e Policisë së Lezhës gjetën dhe sekuestruan 6 armë zjarri, 1 armë gjahu, 2 kuti me lëndë plasëse C4, shumën 88 900 euro, kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellëse, 2 radio si të Policisë, municion luftarak, 1 automjet dhe celularë.

Shtetasi E. V. alias E. M. iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.