Sulmi i dytë kibernetik nga Irani, Rama: Nuk ia arriti qëllimit, kemi rezistuar më së miri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me sulmin kibernetik të ndodhur në Shqipëri gjatë ditës së djeshme.

Rama është shprehur se ky sulm nga Irani nuk ja ka arritur qëllimit dhe sipas tij Shqipëria arriti të rezistojë më së miri.

“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin,fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash! Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë dhe kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare, Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm!”, është shprehur Rama./albeu.com/