Çfarë do ndodhë pas 11 dhjetorit? Basha i prerë: Jemi përgatitur për çdo situatë!

Më 11 dhjetor mbahet Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha pas foltoreve të shtrira në të gjithë Shqipërinë.  Gjatë një interviste, Basha është përgjigjur se çfarë do të ndodhë pas kësaj date, ku Berisha shpreson rrëzimin e Bashës dhe rikthimin e tij në krye të PD.

“Uroj që të prevalojë sado pak gjakftohtësia, uroj të kuptoj që është kthyer në një tubë oksigjeni për këtë regjim, uroj ta kuptojë që është kthyer në një barrë të pamerituar për demokratët dhe Partinë Demokratike teksa ne kemi mobilizuar të gjitha energjitë tona në përballjen me regjimin me një agjendë të qartë politike, por në çdo rast siç ju thashë Partia Demokratike dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë…”- u përgjigj ndër të tjera Basha.

Pyetje: Zoti Basha pas datës 11 dhjetor…. Zoti Basha përveç datës 11 …….

Lulzim Basha: Partia Demokratike dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë. Ajo që dua të them është kjo, ka një palë që investon fuqishëm për të përçarë Partinë Demokratike dhe kjo palë është rrëgjimi, është Edi Rama, me forma dhe mënyra të ndryshme, shumë prej tyre janë denoncuar në mendja nga demokratë të thjeshtë përmes presioneve që u janë bërë pikërisht nga ata zyrtarë të Partisë Socialiste apo faktorë të krimit të organizuar që deri me 25 prill Partia Demokratike dhe demokratët i kam pasur përballë dhe tani pa pritur i shohim tek ndihmojnë aktivitetet e zotit Berisha, por një gjë është e sigurt, as vullneti i demokratëve as arsyeja se pse kjo parti është themeluar, ekziston, qëndron dhe do të qëndrojë që është ti shërbejë shqiptarëve, demokracisë, zhvillimit të Shqipërisë nuk do të tronditen apo do të lëkunden për shkak të nevojave, halleve problemeve personale të një njeriu të vetëm çfarë do qofshin mjetet që ky person zgjedh të hedhë kundër Partisë Demokratike.

Uroj që të prevalojë sado pak gjakftohtësia, uroj të kuptoj që është kthyer në një tubë oksigjeni për këtë regjim, uroj ta kuptojë që është kthyer në një barrë të pamerituar për demokratët dhe Partinë Demokratike teksa ne kemi mobilizuar të gjitha energjitë tona në përballjen me regjimin me një agjendë të qartë politike, por në çdo rast siç ju thashë Partia Demokratike dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë.

Pyetja: Nga gjithë kjo situatën dhe gjithçka keni përjetuar, zoti Basha e keni menduar ndonjë çast dorëheqjen?

Lulzim Basha: Sepse është shpallur Sali Berisha?

Pyetja: Flas në të gjithë këtë situatë apo momente…

Lulzim Basha: Asgjë nuk ka ndryshuar që nga momenti kur 85% e anëtarësisë ka votuar një anëtarë një votë dhe më ka besuar ti udhëheq në betejën kundër një regjimi që masakroi votën e shqiptarëve përveç shpalljes së zotit Berisha “non grata” dhe unë nuk kam asnjë arsye se pse për shkak të shpalljes së zotit Berisha “non grata” të tradhtoj besimin, të tradhtoj besimin e demokratëve, të tradhtoj besimin e shqiptarëve të cilët te Partia Demokratike shohin shpresën e vetme, alternativën e vetme për të ardhmen, për luftën kundër korrupsionit, për luftën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për ndarjen e politikës nga krimi, për dhënien në fund të kulturës së pa ndëshkueshmërisë dhe për t’ia kthyer Shqipërinë shqiptarëve. Përkundrazi jam më i motivuar se kurrë në veçanti tani që shoh interesa që përputhen të një grushti njerëzish të cilët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka vetëm e vetëm që ta mbajnë Shqipërinë plaçkë të interesave të tyre. Nuk mund të jetë Shqipëria plaçkë e interesave të aktorëve, të dy tre aktorëve të tranzicionit 30-vjeçar. 18 dhjetori ka dhe një simbolikë tjetër do të jetë dhe një moment transformues, jo thjesht për Partinë Demokratike por për Shqipërinë, pikërisht për t’i dhënë fund këtij tranzicioni për t’i dhënë fund këtij mentaliteti të një grushti politikanësh që kanë 30 vjet që e trajtojnë Shqipërinë si plaçkën e tyre dhe jo siç është dhe duhet të jetë dhe si meriton të jetë, shtëpia e çdo shqiptari me mundësi për një jetë normale, me mundësi për një jetë të mirë me mundësi për dinjitet për çdo shqiptar. /albeu.com/

 


Shtuar 7.12.2021 15:35