Marrëveshja me Britaninë, Manja tregon se kur do të bëhet transferimi i të burgosurve shqiptarë

Britania e Madhe do t’i paguajë Shqipërisë së paku 4.6 milionë euro në vit në mënyrë që shqiptarët, të cilët ndodhen në qelitë e Mbretërisë së Bashkuar të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit të tyre në vendin tonë.

Ky veprim vjen pas marrëveshjes së arritur mes dy qeverive që është konkretizuar këtë javë. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka dhënë detaje të kësaj marrëveshjeje, e cila sipas tij do të kalojë në disa faza.

Ai tha se transferimi bëhet me pëlqimin e të dënuarve, por marrëveshja ka edhe një përjashtim tjetër, pasi personat të cilat krahas dënimit me burg u është shqiptuar edhe pjesa e dëbimit mund të largohen nga Britania edhe pa pëlqimin e tyre.

Ministri tha se kthimi i të burgosurve shqiptarë nga Britania e Madhe do të bëhet në grup, për shkak të kostove financiare. Ai shtoi se asnjë i transferuar nuk do mund t’i shpëtojë dënimit në Shqipëri pasi marrëveshja do të zbatohet e plotë.

Fjala e ministrit Ulsi Manja:

Baza e kësaj marrëveshjeje janë parimet e humanizmit, riintegrimit dhe risocializimit të të dënuarve shqiptarë në shoqërinë shqiptare. Kjo marrëveshje pason marrëveshjen e vitit 2021, që është ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë, po ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar. E para, kjo marrëveshje ka si bazë dhënien e pëlqimit të personave të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët dëshirojnë dhe vijnë dhe ta vuajnë pjesën tjetër të dënimit në Shqipëri, në institucioneve tona të ekzekutimeve penale, pranë familjarëve dhe familjeve të tyre.

Në zinxhirin e institucioneve që përfshihen në këtë proces sipas kësaj marrëveshjeje, përveç Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Burgjeve dhe homologëve tanë në Britani, është edhe gjykata shqiptare, e cila do bëjë njohjen dhe konvertimin e dënimit të dhënë nga gjykata britanike për çdo të dënuar sipas legjislacionit shqiptar për të gjitha efektet e vendimeve të dhëna nga drejtësia britanike. Nuk do ketë shmangie të dënimit për çdo person që do transferohet nga Britania në Shqipëri.

E treta, e që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se këto të dënuar nuk do vijnë të gjithë njëherësh, por ky proces do të kondiciohohet nga vendimet e konvertimeve dhe të njohjes që do bëjnë gjykata shqiptare, por edhe nga kapacitete e lira që ne do kemi në institucionet tona të vuajtjes së dënimit.  Për efekt të zbatimit të kësaj marrëveshjeje sa i takon efekteve financiare, pavarësisht se gjykata shqiptare mund t’i japin këto vendime në mënyrë individuale në kohë të ndryshme, ne kemi rënë dakord me palën britanike, që ata do vijnë në grup dhe sapo të vijë grupi i parë, qeveria shqiptare dhe autoritetet e burgjeve do marrin pagesën e parë për grupin e parë që do transferohen dhe më pas Ministria e Drejtësisë do t’i hapë rrugë grupit tjetër, gjithmonë në varësi të vendimeve të gjykatës shqiptare.

Pjesë e kësaj marrëveshjeje janë të dënuarit shqiptarë që japin pëlqimin për të ardhur në Shqipëri, por marrëveshja parashikon si rast përjashtimi edhe mosdhënien e pëlqimit, janë ato raste që drejtësia britanike përveç dënimit me burg, ka shqiptuar edhe si dënimi me dëbim nga Britania e Madhe. Në këto raste, sipas kësaj marrëveshjeje, autoritetet britanike mund t’i përcjellin autoriteteve shqiptare njohjen dhe konvertimin e dënimit edhe pa pëlqimin e të dënuarve. Kjo është e shprehur në marrëveshjen e 2021, por edhe në marrëveshjen e majit 2023 dhe që tashmë është dokument zyrtar dhe është i aksesueshëm sepse është botuar në Fletoren Zyrtare


Shtuar 21.07.2023 18:46