KOMENT: Kur shteti i përulet krimit (FOTO LAJM)

Adem Tahiraj - Ish Shefi i Policisë së Shijakut
KOMENT NGA ALBEU.COM: Vrasja e djeshme e shefit të Policisë së Shijakut tronditi opinionin publik në vend. Mënyra se si u vra, në mes të ditës në një zonë të mbipopulluar dhe mbi të gjitha në krye të detyrës, tërhoqi vëmëndjen e qytetarëve të thjeshtë por edhe të strukturave shtetërore, të cilat në pak orë ndaluan edhe të dyshuarin kryesor.

Por ajo që duhet të na shqetësojë vërtetë, pasi nuk është hera e parë dhe shpresojmë të jetë e fundit, është fakti se si persona me precendentë të tillë penalë dhe tejet të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë në vend lëvizin kaq lirshëm të ndihmuar edhe nga "miqësitë" me politikën dhe arrijnë deri aty sa "ngrejnë" dorën dhunshëm mbi shtetin.

Kushdo prej nesh rikujton vrasjen e dy ish kryekomisarëve të tjerë të policisë së shtetit: Arben Zylyftari dhe Gani Malushi, që të dy të vrarë në atentate mafioze, në mes të ditës dhe shumë pranë institucioneve të policisë së shtetit. Kaq i dobët është shteti përbalLë personave të tillë?

Sërish në Durrës, disa vite më parë, ishin katër policë të njësive speciale që do të binin pre përballë armëve të krimit, të cilët edhe sot enden sallave të gjyqit në kërkim të "dëshmitarëve të munguar". A ka drejtësi ky vend?

Dhe rasti më i freskët, por ndryshe nga të sipërpërmendurit që të paktën e kanë një të akuzuar për ngjarjet, është ai i gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, i cili pësoi një atentat me bombë, si ata që kemi dëegjuar në Siçili apo kemi parë nëpër filma aksionë, në zonën më të populluar të qytetit bregdetar në mes të ditës dhe ende edhe sot nuk dihet autori i krimit.

Kriminaliteti nuk mund të ndalet nga rrënjët, ai ka ekzistuar dhe do të ekzistojë, por në raste të tilla kur vriten titullarë të lartë të këtij shteti, atëherë me të drejtë qytetarët e thjeshtë ngrejnë pyetjet: A është jeta ime e sigurtë? Si lëvizin të lirë elementë kaq të rrezikshëm? A funksionon drejtësia? Po shteti, çfarë bën?

Disa prej këtyre pyetjeve nuk kemi për ti marrë kurrë përgjigje por shteti në raste të tilla duhet të tregojë se vendi drejtohet nga ai dhe jo nga krimi. Drejtësia duhet të tregojë se funksionon dhe elementë të tillë nuk do enden më rrugëve të armatosur dhe qytetarët mund të lëvizin pa patur frikën se në çdo moment mund t'iu kanoset jeta... /albeu.com/
Shtuar më 14/09/2012, ora 12:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori