Kundërshtari më i ashpër i Putinit, dënohet me 19 vjet të tjera burg Alexei Navalny

Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, është dënuar me 19 vjet të tjera burg, në një gjyq në një koloni të largët penale.

Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate dhe aktivitetesh ekstremiste. Ai i mohon akuzat.

Ai tashmë po vuan një dënim nëntë vjeçar për shkelje të lirimit me kusht, mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës. Akuzat shihen gjerësisht si të motivuara politikisht.

Që nga burgimi i tij në vitin 2021, Navalny është mbajtur në një koloni të largët penale.

Një sallë në burg, Kolonia Penale nr 6 në Melekhovo, e cila është 240 km (150 milje) në lindje të Moskës, u shndërrua në një sallë gjyqi të improvizuar për kritikun më të zëshëm të Kremlinit. Procedurat u zhvilluan me dyer të mbyllura.

Prokurorët e shtetit rus kishin kërkuar një dënim me 20 vjet burg për Navalny në një “koloni të regjimit special” edhe më kufizues. Burgje të tilla zakonisht rezervohen për kriminelët më të rrezikshëm të Rusisë.

Në një mesazh të postuar në mediat sociale përpara vendimit, Navalny shprehu besimin e tij se do t’i jepej një burg i stilit “stalinist” i krijuar për të frikësuar kundërshtarët e tjerë të mundshëm.

Në letër, është një gjykatë e Moskës ajo që po shqyrton çështjen. Por vendimi për të mbajtur një gjyq në distancë në një burg sugjeron se autoritetet ruse donin të shmangnin publicitetin që do të vinte në mënyrë të pashmangshme me transportimin e Navalny në kryeqytetin rus.

Kur Navalny dha deklaratën e tij përfundimtare dy javë më parë, nuk kishte asnjë video apo regjistrim audio të fjalëve të tij. Por teksti i fjalimit të tij që kritikonte autoritetet ruse dhe luftën në Ukrainë u bë publik. Mbështetësit e tij, duke përfshirë aktorë dhe muzikantë rusë në mërgim, e lexuan dhe e postuan në internet.

Navalny ende mund të përballet me akuza të tjera. Ai thotë se hetuesit i kanë thënë që të presë një gjykim tjetër për akuzat e terrorizmit.

Kujtojmë që në vitin 2020, ai u helmua në Siberi nga ajo që laboratorët perëndimor më vonë konfirmuan se ishte një agjent nervor.

Një raport i mëvonshëm nga gazeta investigative Bellingcat dhe faqja ruse e lajmeve The Insider implikoi disa agjentë të shërbimit të brendshëm të sigurisë ruse, FSB, në sulm.

Pasi u shërua nga sulmi, Navalny u kthye në Rusi në vitin 2021, pavarësisht paralajmërimeve se ai mund të arrestohej. Ai u arrestua menjëherë pas mbërritjes në aeroportin Vnukovo të Moskës.


Shtuar 4.08.2023 16:23