Sot, dita ndërkombëtare kundër shfrytëzimit të fëmijëve për punë

12 Qershori, shënon Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve nën temën “Mbrojtje Sociale Universale për t’i dhënë fund punës së fëmijëve “.

Që kjo të shndërrohet në fakt dhe të ketë vazhdimësi, në këtë ditë, ILO, së bashku me organizatat partnere, po bën thirrje për rritjen e investimeve në sistemet dhe skemat e mbrojtjes sociale.

Mbrojtja sociale është njëkohësisht një e drejtë e njeriut dhe një mjet i fuqishëm politikash për të parandaluar familjet që të përdorin punën e fëmijëve në kohë krize. Megjithatë, që nga viti 2020 dhe para se të ndodhte kriza e COVID-19, vetëm 46.9 për qind e popullsisë globale mbulohej efektivisht nga të paktën një përfitim i mbrojtjes sociale. Mbulimi për fëmijët është edhe më i ulët. Gati tre të katërtat e fëmijëve, 1.5 miliardë, kishin mungesë të mbrojtjes sociale.

Progresi i rëndësishëm i bërë në reduktimin e punës së fëmijëve gjatë dy dekadave të fundit ka pësuar ulje, madje ka ngecur gjatë periudhës 2016 -2020. Sot, 160 milionë fëmijë janë ende të angazhuar në punë të detyrueshme – disa deri në 5 vjeç.

Bashkohuni me ne në një zë, në lëvizjen mbarëbotërore “Kundër Punës së Fëmijëve” .

Prevalenca e punës së fëmijëve

Fëmijët në mbarë botën janë të angazhuar në mënyrë rutinore në forma të punës me pagesë ose jo, që nuk konsiderohen të dëmshme për ta. Megjithatë, ata klasifikohen në risk, kur janë shumë të vegjël për të punuar, ose janë të përfshirë në aktivitete të dëmshme për zhvillimin e tyre fizik, mendor, social, arsimor. Ky fenomen vihet re sidomos në vendet e pazhvilluara, ku pak më shumë se një në katër fëmijë (nga 5 deri në 17 vjeç) janë të angazhuar në punë që konsiderohen të dëmshme për shëndetin dhe mbarëvajtjen e përgjithshme.

Përsa i përket përqindjes së fëmijëve që punojnë, Afrika renditet më e larta midis rajoneve – një e pesta, në numër absolut afro 72 milionë. Azia dhe Paqësori vijnë më pas me 7% të të gjithë fëmijëve ose 62 milionë të punësuar e shprehur në terma absolutë. Rajonet e Afrikës, Azisë dhe të Paqësorit së bashku, përbëjnë pothuajse nëntë në çdo dhjetë fëmijë që shfrytëzohen për punë në mbarë botën.

Kontigjenti i mbetur global i fëmijëve që detyrohen të punojnë është i ndarë midis Amerikës (11 milionë), Europës dhe Azisë Qendrore (6 milionë) dhe Shteteve Arabe (1 milionë). Për sa i përket incidencës, 5% e fëmijëve në punë aktive janë në Amerikë, 4% në Evropë dhe Azinë Qendrore dhe 3% në Shtetet Arabe.

Ndërsa përqindja e fëmijëve në punë është më e larta në vendet me të ardhura të ulëta, numri i tyre është në fakt më i madh në vendet me të ardhura mesatare. 9% e të gjithë fëmijëve në vendet me të ardhura të mesme të ulëta dhe 7% e të gjithë fëmijëve në vendet me të ardhura të mesme të larta janë në punë.

A e dinit?

Në fillim të vitit 2020, në mbarë botën, 1 në 10 fëmijë të moshës 5 vjeç e lart ishte i përfshirë në punë – që barazohet me rreth 160 milionë fëmijë, ose 63 milionë vajza dhe 97 milionë djem.
Në nivel global, është bërë përparim i rëndësishëm në reduktimin e punës së fëmijëve në dy dekadat e fundit (ILO dhe UNICEF 2021). Numri i fëmijëve që punojnë ra me 85.5 milionë midis 2000 dhe 2020, nga 16% në 9.6%.

Vetëm 26.4% e totalit të fëmijëve në botë marrin përfitime në para të mbrojtjes sociale. Në tërësi, shpenzimet kombëtare për mbrojtjen sociale për fëmijët arrijnë në vetëm 1.1% të PBB-së. Në Afrikë, rajoni me përqindjen më të madhe të fëmijëve në popullatë dhe prevalencën më të lartë të të punësuarve, një ekuivalent prej vetëm 0.4% të PBB-së shpenzohet për mbrojtjen sociale të tyre.

Vlerësohet se pa strategji zbutëse, numri i fëmijëve në punë për shkak të rritjes së varfërisë dhe cënueshmërisë, mund të rritet me 8.9 milionë deri në fund të vitit 2022.

PUNA IU HEQ FËMIJËVE DINJITETIN, MUNDËSINË PËR TË JETUAR MOSHËN E TYRE DHE PËR TË ZHVILLUAR POTENCIALET.

Puna i dëmton fëmijët mendërisht, fizikisht, socialisht dhe moralisht. Ajo ndërhyn në shkollimin e tyre, duke i penguar në frekuentim dhe përqendrim. Gjithashtu, mund t’i skllavërojë, t’i ndajë nga familjet e tyre dhe t’i ekspozojë ndaj rreziqeve dhe sëmundjeve serioze.

Afrika Subsahariane është rajoni me prevalencën më të lartë dhe numrin më të madh të fëmijëve në punë (86.6 milionë fëmijë).

70% e punës së fëmijëve – si për djemtë ashtu edhe për vajzat – ndodh në bujqësi, kryesisht në bujqësi familjare dhe në bujqësi komerciale.

Cilat janë shkaqet e punës së fëmijëve ?

Jo e gjithë puna e kryer nga fëmijët ka të njëjtin fokus. Puna e konsideruar e rrezikshme përkufizohet nga standardet ndërkombëtare, që kryhet nga mosha të vogla dhe me orare të tejzgjatura. Fëmijët punojnë sepse mbijetesa e tyre varet nga kjo , sepse të rriturit përfitojnë nga cënueshmëria e tyre dhe sepse sistemet kombëtare arsimore janë të dobëta. Puna e fëmijëve ndonjëherë është rezultat i zakoneve dhe traditave të rrënjosura.