Jo vetëm PD dhe PS, LSI mban Konventën Kombëtare më 25 korrik! Çfarë pritet të ndodhë

Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbajë Konventën Kombëtare në 25 korrik.

Lajmin e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm, Endrit Braimllai, i cili ka shtuar se qëllimi është riorganizimi i të gjitha strukturave të partisë për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale.

Deklarata e plotë:

Të dashur qytetarë dhe qytetare, të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, jemi në këtë komunikim me mediat për të informuar opinionin public për një vendim të rëndësishëm.

*Në respekt të statutit të LSI-së pika 11.28, gërma B do të mbahet Konventa Kombëtare e LSI në datë 25 korrik 2022 e thirrur nga kryetarja e saj. Konventa do të jetë një moment historik për LSI dhe opozitën shqiptare në tërësi, për të ardhmen e përballjes pa asnjë kompromis me regjimin e rilindjes për të hapur një epokë të re të një Shqipërie të çliruar nga krimi, korrupsioni dhe kapja e shtetit.

Konventa Kombëtare do të marrë vendime shumë të rëndësishme politiko-organizative që lidhen me aksionin politik të zgjedhjeve vendore të vitit 2023. Gjithashtu do të thellohet procesi i brendshëm zgjedhor lidhur me ngritjen e strukturave drejtuese të LSI, proces ky i penguar prej kushteve të pandemise gjatë vitit 2020.

Në kuadër të organizimit të Konventës Kombëtarë të LSI që do të mbahet më 25 korrik është ngritur ekipi qëndror i punës për përgatitjen e programit politik dhe ndryshimet statutore në statutin e LSI.

Në kuadër të këtij organizimi, ngarkohen të gjithë drejtuesit politikë në qarqe, delegatët e Konventës Kombëtare të marrin masa për organizimin e struktrurave të LSI. Strukturat e LSI do të identifikojnë me shumë prioritet problemet e pafundme që qytetarët kanë në raport me qeverisjen qendrore dhe lokale për t’i bërë ato pjesë të aksionit politik dhe sidomos të programit elektoral për zgjedhjet e vitit 2023.

Në këtë proces intensiv riorganizimi do të jenë edhe grupet e punës për riorganizimin e strukturave të Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe Lëvizjes Rinore për Integrim të cilat do të kenë një rol më të rëndësishëm në organizimin, funksionimin dhe vendimmarrjen e LSI.

Qytetarët kërkojnë një opozitë e cila përballet pa asnjë kompromis me regjimin rilindas, një opozitë e cila ka mbi çdo gjë interesin public, një opozitë që denoncon korrupsionin, krimin dhe trafiqet, një opozitë që bën çdo sakrificë për qytetarët.

Konventa e 25 korrikut, do të jetë moment historik për formësimin e një opozite të tillë që ngre shpresën optimizmin e qytetarëve dhe që u rrit kurajon atyre për t’u përballur me regjimin por dhe u ngjall shpresën për ta ndërtuar jetën e tyre dhe të ardhmen në Shqipërinë.