“Kemi një taks ekstra në naftë”, Rama zbulon bordin për kurburantet

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria është e detyruar që të ndërhyjë për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të karburanteve.

Sipas Ramës një akt-Normativ me fuqinë e menjëhershme të ligjit për përballimin e kësaj emergjence, do të përcaktojë që nesër edhe kuadrin e detyrimeve dhe të drejtave të kufizuara të furnizuesve të karburantit. Rama theksoi se akti-normativ do të jetë për një afat dymujor të rinovueshëm sipas dinamikës së luftës. Kryeministri ka paralajmëruar se kush nuk zbaton rregulloren e bordit do të humbasë pikën e karburantit.

I pari i qeverisë ka zbuluar edhe Bordin Kombëtar të Furnizimit me Naftë, që sipas tij do përbëhet nga Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, Drejtori i Tatimeve, drejtori i Doganave si dhe Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës. Nga ana tjetër do të jenë 5 përfaqësuese të kompanive të furnizimit me naftë.

Mes të tjerash Rama ka pranuar se në çmimin e naftës ka një taks ekstra në Shqipëri.

“Kemi tek nafta një ngarkesë ekstra që tjetër tek çmimi i naftës, prandaj çmimi i naftës është më i lartë. Por të tjerët nuk e kanë zero taksën e biznesit të vogël apo zero TVSH.”

“Ju i përkisni asaj pjesë të shoqërisë që duhet të bëjë sakrificë. Shumë e thjeshtë. Duhet të ndihmoni veten me kujtimin e asaj që ishit para se të bëheshit këta që jeni. Ja ku jeni sot dhe kjo nuk është koha për të fituar por për të bërë rezistencë. Të ndajmë barrën sot. Ne do mbajmë barrën e madhe dhe të gjithë kanë barrën e tyre se kjo është një luftë. Nuk është me bomba mbi koka apo dhunë” tha Rama.

“Do kalojmë një akt normativ dhe qeveria do hyjë në administrimin e furnizimit përmes një bordi kombëtar të furnizimit. Cdo ditë ju dhe përfaqësuesit e Financave, Infrastrukturës Energjisë, Drejtori i Tatimeve, Drejtori i Doganave, dhe kryetari i autoritet të Konkurrencë do jenë në tryezë me 5 përfaqësues nga ju. Nuk do ketë në asnjë pikë karburanti që nuk është në bordin e miratuar. Do humbas karburantin kush bën të kundërtën. Nuk jam ideolog i tregut të lirë.” shtoi Rama.


Shtuar 11.03.2022 09:50