Pasaportat më të fuqishme në botë, ku renditet ajo shqiptare

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pasaportën më të fortë në botë, sipas një indeksi të ri.

Vendi u ngjit në vendin e parë, nga vendi i 32-të në renditjen e vitit të kaluar, sipas indeksit të ri nga konsulenca e taksave dhe imigracionit Nomad Capitalist.

Pasaporta e Emirateve kryesoi listën, sepse ka privilegje udhëtimi pa viza në shumicën e vendeve (181 gjithsej), pa taksa mbi të ardhurat dhe një prani gjithnjë në rritje në skenën botërore. Të gjitha këto e bëjnë atë tërheqëse për qytetarët e botës.

Si funksionon renditja

Ndryshe nga renditjet e tjera që fokusohen vetëm në privilegjet e udhëtimit pa viza, “Indeksi i Pasaportave Nomad 2023” (Nomad Passport Index 2023), vlerëson pesë faktorë, secili duke pasur parasysh peshë të ndryshme:

Përveç udhëtimit pa viza, kategoritë vlerësohen sipas rezultateve që variojnë nga 10 në 50.

Taksimi bazohet në shtrirjen afatgjatë të ligjeve tatimore të një vendi, si dhe në normat tatimore të tij.

  • Taksa me bazë qytetare: ku mbajtësit e pasaportës paguajnë pavarësisht se ku jetojnë – 10 pikë
  • Taksa e bazuar në rezident: ku rezidentët tatohen mbi të ardhurat në mbarë botën – 20 pikë (nëse normat tejkalojnë 50%) ose 30 pikë (nëse nuk e tejkalojnë)
  • Taksa territoriale: ku tatohen të ardhurat e bëra brenda vendit – 40 pikë
  • Pa taksë mbi të ardhurat – 50 pikë

Bazuar në pesë faktorët e indeksit, Shqipëria renditet në vendin e 91, pas vendeve të rajonit, Serbisë (66), Malit të Zi (76) dhe Maqedonisë së Veriut (79).  Kosova renditet ne vendin e 175 nga 199 vende në indeks.

Vendet që vlerësohen me 10 pikë për tatimin, përfshijnë SHBA-në dhe Eritrenë, të cilat përdorin rregulla tatimore “të bazuara në qytetarë” në mbarë botën.

Teorikisht, mund të jetoni në Hënë, por nëse jeni shtetas amerikan do t’i paguani taksat SHBA-së.

Afrika e Jugut është në fillimet e zbatimit të sistemit, por ndoshta nuk do të jetë në gjendje ta imponojë atë, sepse i mungon ndikimi që ka SHBA në sistemin bankar global, i cili si kusht për të punuar me qytetarët amerikanë, kërkon që ata të respektojnë rregullat federale.

Një faktor tjetër, shtetësia e dyfishtë, zbatohet në dy mënyra, së pari, nëse një vend lejon qytetarët e tij të marrin një nënshtetësi të dytë, dhe së dyti, nëse i lejon të huajt të natyralizohen.

Perceptimi bazohet si në pikëpamjet subjektive ashtu edhe në të dhëna objektive, si Raporti i Lumturisë Botërore dhe Indeksi i Zhvillimit Njerëzor.

Rezultatet në renditjen e këtij viti janë përgjithësisht më të ulëta se vitin e kaluar, për shkak të një ndryshimi në mënyrën se si Nomad Capitalist e vlerësoi udhëtimin pa viza.

Këtë vit, vizat e marra pas mbërritjes dhe vizat elektronike, nuk janë përfshirë, duke bërë që shumë vende të humbasin terren për këtë faktor. Për shembull, pasaporta nr. 1 e vitit të kaluar, Luksemburgu që shënoi 189 pikë në këtë kategori, këtë vit ra në 174.

Pse Emiratet e Bashkuara Arabe u renditën në vendin e parë

Emiratet e Bashkuara Arabe shtuan 106 vende të reja pa viza në dekadën e fundit. Gjithashtu, ata janë një vend me taksa zero.”

Perceptimi për vendin u përmirësua në vitin e kaluar, për shkak të një fluksi njerëzish të pasur dhe të famshëm që u shpërngulën atje.

Vendi gjithashtu shënoi 10 pikë shtesë në kategorinë “liri”, për shkak të një sërë reformash, megjithëse kjo është ende kategoria më e ulët per të.

Në vitin 2021, qeveria njoftoi se nënshtetësia e Emirateve mund të merret nga të huaj të përzgjedhur, si investitorë, mjekë, shkencëtarë dhe intelektualë, të cilët plotësojnë një numër mjaft të lartë kërkesash.

Megjithatë, pasaporta e Emirateve të Bashkuara Arabe shpesh konsiderohet si një nga pasaportat më të vështira për t’u marrë.

Më shumë njerëz janë në lëvizje

Gjithnjë e më shumë njerëz po lëvizin, dhe jo vetëm “nomadë dixhitalë ekzotikë”.

Më shumë pensionistë po kërkojnë të lëvizin në vendet që kanë kujdes më të mirë shëndetësor dhe “liri”.

Liria do të theksohet në dy vitet e ardhshme, veçanërisht në këtë industri, pasi ne shohim valë masive, masive imigrimi nga vende të caktuara. Kanadaja po e udhëheq lëvizjen.

Kanadaja kryeson rregullisht në renditjen e pasaportave, por renditja e saj ra këtë vit për shkak të humbjes së pikëve në dy kategori: perceptimi dhe liritë personale, të shkaktuara nga incidente të tilla si burgosja e protestuesve të përfshirë në protestat e “Konvojës së Lirisë”.

Portugalia ishte gjithashtu e preferuar, duke përfshirë njerëz të pasur që dëshironin një leje qëndrimi të Bashkimit Europian, nomadë dixhitalë, pensionistë dhe familje.

Politikat e dobëta të hyrjes në Portugali, nuk kanë qenë aq të mirëpritura nga banorët. Një fluks i të huajve shkaktoi një krizë banesash në vend, me rritjen e çmimeve të qirave dhe blerjeve. Ndër masat e tjera, qeveria njoftoi në shkurt se do t’i jepte fund programit “Viza e Artë” (Golden Visa), për të ndihmuar në stabilizimin e kostove të pasurive të paluajtshme.

Meksika është një tjetër vend që është dëshmuar të jetë popullor, veçanërisht gjatë pandemisë, sepse “nuk kishte asnjë kufizim për Covid 19”, ndërsa “njerëzit kripto” tërhiqen nga El Salvador, sepse Bitcoin është kurs ligjor në vend./monitor