Ndërron jetë një tjetër pacient me koronavirus në Kosovë

Gjatë ditës së sotme është shënuar viktima e 32-të nga COVID-19 në Kosovë. Bëhet fjalë për 71-vjeçarin nga komuna e Prizrenit, i cili ishte pranuar në Klinikën Infektive me datën 5 të këtij muaji, i cili përveç infeksionit kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, përmes një postimi në faqen zyrtare.

“Sot, në repartin e Mjekimit Intensiv në Klinikën Infektive ka ndërruar jetë pacienti 71 vjeçar nga komuna e Prizrenit, i pranuar me 05.06.2020, i cili përveç infeksionit me COVID -19, kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Aktualisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 32 të prekur me COVID-19.

Sipas njoftimit, 18 pacientë të shtrirë në këtë klinikë me COVID-19 janë me gjendje stabile. 12 raste janë duke u trajtuar në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, kurse në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 2 raste në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar dhe përkujdesje intensive.

Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 1,384. Prej tyre, 921 pacientë janë shëruar dhe 32 kanë vdekur.


Shtuar 13.06.2020 12:16