Banka Botërore i jep Ukrainës 1.5 miliardë dollarë, fondet për rindërtimin dhe rimëkëmbjen

Ukraina do të marrë 1.5 miliardë dollarë nga Banka Botërore për të mbështetur rindërtimin dhe rimëkëmbjen, tha sot kryeministri Denis Schmihal.

Fondet do të garantohen nga qeveria japoneze dhe do të kanalizohen për të mbështetur sigurimet shoqërore dhe zhvillimin ekonomik, tha Schmihal në një postim në aplikacionin e mesazheve Telegram.

“Në përgjithësi, kredia do të ndihmojë në mbështetjen e subvencioneve për njerëzit që kanë ndryshuar vendbanimin brenda vendit dhe pagesat e pensioneve”, tha Schmihal.

Ukraina mbështetet në ndihmën financiare të partnerëve të saj të huaj për të qenë në gjendje të mbulojë deficitin buxhetor. Ministria e Financave njoftoi se ka marrë në qershor shumën prej 3 miliardë dollarësh për mbështetje buxhetore nga partnerët e Ukrainës, me 40% në formën e granteve.

Dje administrata e Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi kontrollin e kredisë ukrainase, duke lejuar që Kievi të marrë menjëherë shumën prej 890 milionë euro për mbështetjen fiskale.

Qeveria shpreson për një rimëkëmbje të arsyeshme ekonomike këtë vit pasi ekonomia u tkurr me rreth një të tretën në vitin 2022 për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe po punon me partnerët e huaj për të siguruar fonde për një rimëkëmbje të ashtuquajtur “të shpejtë”.

Ukraina po rindërton shkollat, spitalet, rrugët dhe urat dhe po bën riparime në sektorin e energjisë, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme në jug dhe lindje të vendit.


Shtuar 30.06.2023 16:11