Komuniteti Mysliman shpërndan 500 mijë euro ndihma para muajit të Ramazanit

Në prag të Muajit të Bekuar të Ramazanit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Bamirëse dhe Humanitare “Mbreti Selman” dhe Ambasadën e Arabisë Sauditë në Tiranë çelën fushatën e bamirësisë në ndihmë të 7300 familjeve me vështirësi ekonomike në mbarë vendin tonë.

Fushata nisi në ambientet e Medresesë së Tiranës, ku kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu dhe ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, z. Abdelmomen Mohammed Sharaf dhe disa përfaqësues të shoqatës shpërndanë një pjesë të pakove për disa nga familjet në nevojë të kryeqytetit, më pas shpërndarja e pakove do të vazhdojë sipas planit në çdo qytet të vendit.

Në fjalën e tij kryetari i KMSH-së falënderoi Qendrën Bamirëse dhe Humanitare “Mbreti Selman” dhe Ambasadën e Arabisë Saudite në Tiranë për bashkëpunimin me KMSH-në në shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë.

“Ndjej kënaqësinë e veçantë që sot me ndihmën e qendrës “Mbreti Selman” do të fillojmë shpërndarjen e 7300 pakove me nga rreth 80 kg do të shpërndahen me anë të myftinive në familjet në nevojë në çdo qytet të Shqipërisë. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me anë të bashkëpunimeve të tilla do të jetë gjithmonë në ndihmë të të tjerëve. Falënderoj të gjithë donatorët, ambasadën dhe Qendrën Bamirëse dhe Humanitare “Mbreti Selman””, – tha ndër të tjera kryetari i KMSH-së.

Ndërsa ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë falënderoi KMSH-në për bashkëpunimin dhe tha se është i nderuar që merr pjesë në shpërndarjen e ndihmave për të gjithë vëllezërit shqiptar.

“Ky projekt vjen në kuadër të marrëdhënieve historike mes Arabisë Saudite dhe Shqipërisë si pjesë e nismës që Mbretit Selman dhe Princi i Kurorës kanë marrë në ndihmë të vendeve myslimane në mbarë botën. Falënderoj pjesëtarët e Qendrës “Mbreti Selman” të cilët kanë ardhur në Shqipëri me qëllimin fisnik për të ndihmuar familjet Shqiptare në nevojë”, – tha z. Abdelmomen Mohammed Sharaf.

Gjithashtu kryetari i KMSH-së dhe Ambasadori i Arabisë Saudit kanë uruar me këtë rast edhe Muajin e Bekuar të Ramazanit.

Fushata konsiston në shpërndarjen e pakove me ndihma të ndryshme ushqimore. Fillimisht pakot me nga 80 kg ushqime secila (600 ton), do t’ju dorëzohen përfaqësuesve të KMSH-së në çdo qytet të vendit, më pas këta të fundit do t’jua shpërndajnë familjeve në nevojë.

Ky projekt me vlerë mbi 500 000 euro do të shtrihet në gjithë qytetet e Shqipërisë, ku çdo myftini do të bëjë shpërndarjen në qytetet respektive. Shpërndarja e të gjitha pakove do të realizohet brenda datës 10 maj.
Shtuar më 02/05/2019, ora 13:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori