Kompania që ndërtoi vilën e Ramës në Surrel merr edhe një tender nga Albcontrol

Më 17 nëntor të vitit 2014, ish-Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror (sot Albkontrol) ka shpallur një tender me objekt “Rikonstruksioni i godinës Teknologjike të “Albcontrol” për përmirësimin e kushteve”. Vlera e tenderit ishte 73 milionë e 876 mijë lekë pa TVSH ose rreth 530 mijë euro.

A ishte e domosdoshme shpenzimi i mbi 500 mijë eurove “për përmirësimin e kushteve” në një godinë pothuajse të re?

Shpallja e tenderit për rikonstruksion bëhet vetëm 3 vjet pas ndërtimit të godinës që kushtoi mbi 12 milionë euro.

Godina e re e kontrollit të trafikut ajror është përuruar në 3 maj të vitit 2011. Në atë godinë janë të vendosura edhe zyrat e “Albkontrol”.
Po pse drejtoresha Belinda Balluku vendosi të harxhojë edhe gjysmë milioni euro? Ku shkuan dhe si u menaxhuan këto para?

Pas shpalljes së tenderit, në buletinët e mëvonshëm duhet të publikoheshin edhe detajet e procesit të vlerësimit dhe shpallja e fituesit. Kjo është kërkesë ligjore.
HashtagAL verifikoi buletinet elektronike të Agjensisë së Prokurimeve Publike pas datës 17 nëntor, por shpallja e fituesit nuk ekziston në buletinet elektronike të APP.
Sipas ligjit, njoftimin duhet ta dërgojë për botim enti prokurues, në këtë rast “Albkontrol”.

Shpjegimi ndoshta gjendet tek emri i firmës fituese. Bëhet fjalë për kompaninë “Eurocol” në pronësi të biznesmenit Pandeli Carapuli, i cili prej disa muajsh është vënë dhe në “shënjestër” të opozitës, e cila e cilëson z.Carapuli si ndërtuesin e vilës së kryeministrit Rama në Surrel. Edhe pse emri i fituesit nuk ishte shpallur në buletinet elektronike të tenderit fillestar, emri del në një njoftim tjetër të APP.

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar është bërë edhe një shtesë kontrate për rikonstruksionin e godinës. Ndërmjët shoqërisë “Albcontrol” dhe kompanisë “Eurocol” është lidhur një kontratë tjetër që plotëson kontratën e parë.

Prokurimi i ri ka si objekt “Shtesë kontrate për rikonstruksionin e godinës Teknologjike të Albcontrol sha për përmirësimin e kushteve”. Vlera totale e kontratës së lidhur ishte 14 milionë e 161 mijë lekë. Ekuivalent i 100 mijë eurove, për shtesën e kontratës. /HashtagAL/
Shtuar më 11/01/2016, ora 19:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori