Kate dhe princi Louis u bënë viral në rrjet, po ju si të veproni nëse fëmija juaj sillet njësoj në publik

Në gjithçka madhështore që ndodhi gjatë festimeve për jubileun e mbretëreshës, një nga momentet e shumë përfolura dhe virale ishin ato me protagonist princin Louis. Rebel, mimika qesharake, i besdisur dhe i pabindur, princi Louis ua mori zemrën të gjithëve, por jo vetëm kaq. Një video e bërë virale ku e ëma, Kate përpiqej ta qetësonte vogëlushin u bë objekt disktutimi në rrjet.

Mamatë nga e gjithë bota gjetën veten në reagimin e Kate e cila me shumë finesë i kërkonte 4-vjeçarit të shkujdesur të qetësohej. Nga ana tjetër, kishte dhe nga ata që e kritikuan sjelljen e saj, duke thënë se ishte papërgjegjshmëria e saj që nuk arriti të kontrollonte sjelljen e tij në atë lloj daljeje publike.

A vlen një kritikë e tillë nëse Kate Middleton zhvishet nga titujt dhe mban vetëm statusin e nënës? Si duhet të sillesh në të tilla raste?

Fillimisht, nëse po përballeni me sjellje të sikletshme të fëmijës duhet të dini që s’jeni të vetmet dhe princesha ishte shembulli më i mirë për ta vërtetuar këtë.

1. Nuk është nevoja për reagime të tepruara

Fytyrat qesharake, prekja me duar, ulërimat e vogëlushëve apo kërkesat pa vend të frustrojnë, por s’është nevoja ta merrni shumë personale. As mos reagoni për çdo sjellje të tij pasi nuk do të shihni rezultat. Ajo çfarë mund të bëni është të fokusoheni tek sjelljet që kërkojnë vëmendje dhe të njoroni pjesën tjetër. Mos u acaroni sepse thjesht do t’i përkeqësoni gjërat.

2. Mos flisni keq për njerëz të tjerë në shtëpi

Jeta është e mbushur me momente që të stresojnë: shefat janë sfidues dhe ndonjëherë të lodhshëm, fqinjët na mërzisin ashtu siç mund të na mërzisë edhe bashkëshorti/ja në raste të caktuara. Detyra juaj si prind është të dish të menaxhosh inatin në prani të fëmijëve. Fëmijët janë imitues të shkëlqyer, prandaj mos u habisni nëse një ditë të bukur dëgjoni vajzën/djalin të flasë me mllef për të tjerët apo të shajë po i bërë përshtypje. Kujtoji vetes që ata po të shohin në çdo moment, prandaj jep modelin më të mirë të vetes.

3. Vërjani në dukje sjelljen e mirë

Mos kritikoni dhe këshilloni gjatë gjithë kohës. Kur ata sillen mirë, përgëzojini që ai/ajo të kuptojë më qartë ndryshimet. Zëkonisht, fëmijët i përgjigjen mirë vlerësimeve, prandaj mos harroni t’jua bëni sa herë e meritojnë.

4. Kërkoni falje

Nëse vogëlushët tuaj janë kokëfortë në publik, gjëja e parë që duhet të bëni është të kërkoni falje tek njerëzit e tjerë përreth që ndoshta po shqetësohen. Nuk e dini kurrë me kë keni të bëni, prandaj në vend që të sqaroni, kërkojini direkt ndjesë.

5. Flisni me ta për ndjesitë

Thuajini atij çfarë bëri gabim dhe flisni gjatë me të. Tregojini sesi sjellja e tij ndikon tek të tjerët. Fëmijët kuptojnë se çfarë do të thotë të lëndosh dikë. Bëjini të kuptojnë sesi mund të ndiheshin ato në rast se dikush do bënte të njëjtën sjellje.

6. Kuptoje që ka pasoja kur e meriton

Pasi të jeni sqaruar me qetësi dhe pa acarime, mësojini se çdo sjellje ka pasoja. Mund t’i limitoni kohën që sheh kukulla në Tv apo të mos luajë për ca orë të caktuara.