Agresori i Berishës agjent i Policisë Kriminale? Rrumbullaku përgënjeshtron ish-kryeministrin: Nuk ka qenë agjent, po hetojmë aktin e shëmtuar

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka reaguar pas deklaratës së ish kryeministrit Sali Berisha i cili tha se i riu që e sulmoi atë sot gjatë protestës, Gert Shehu figuron si agjent në policinë kriminale.

Rrumbullaku tha se ai nuk ka qenë asnjëhërë pjesë në asnjë strukturë të policisë ndërkohë që shtoi se dokumenti për shëndetin e tij mendor është dhënë për mediat nga vetë familjarët e tij.

“Në lidhje me incidentin ndaj deputetit Sali Berisha, policia reagoi menjëherë për të ndaluar agresorin. Po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sulmit. Në lidhje me deklaratën ku pohohet se ai është agjent policie sqarojmë se Gert Shehu nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është agjent i policisë kriminale në asnjë strukturat të policisë së shtetit.

Nuk është përdorur asnjëherë si infiltruar. Dokumenti për shëndetin mendor është dhënë për mediat nga vetë familjarët e tij. Policia përgënjeshtron deklaratat që nuk ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës. Policia është e angazhuar për zbardhjen e të gjithë rrethanave të ngjarjes”, deklaroi kryepolici.