"Kingu" thotë se po rrit pagat, por shifrat e BSH zbulojnë tragjedinë e familjeve (FOTO LAJM)

Pëlqej
Nga 17-50 mijë lekë në muaj. Kjo është shuma e të ardhurave që jetojnë jo pak, por 52% e familjeve të intervistuara nga Banka e Shqipërisë, në kuadër të vrojtimit “Gjendja financiare dhe huamarrja e familjeve shqiptare”.

Banka Qendrore intervistoi një kampion rastësor prej 1210 familjesh, ku rreth 56% jetojnë në zonat urbane dhe 44% në zonat rurale të vendit për periudhën e 6-mujorit të parë të këtij viti. Sondazhi tregoi se pjesa më e madhe e familjeve, rreth 52% (e pandryshuar krahasuar me 6- mujorin e dytë 2017) vijon të mbeten në nivelin “17-50 mijë lekë”, ndërsa rreth 27% (1% më pak se 6-mujorin e dytë 2017) i përkasin nivelit të të ardhurave mujore “50-100 mijë lekë”.

“Në shpërndarjen e familjeve sipas nivelit të shpenzimeve të domosdoshme të jetesës, pjesa më e madhe (rreth 50% e të përgjigjurve) vijojnë të deklarojnë shpenzime mujore në nivelin ’20-50 mijë lekë’, dhe kjo peshë nuk ka ndryshuar krahasuar me 6-mujorin e kaluar, por është rritur me 2 pp krahasuar me një vit më pare”, theksohet në sondazhin e BSH-së.

Nga ana tjetër, pesha e familjeve që deklarojnë shpenzime në nivele të larta (mbi 50 mijë lekë në muaj) ka vijuar të rritet, si në terma 6-mujorë dhe në terma vjetorë, ndërkohë që vihet re tendenca e kundërt në rastin e dy grupeve më të ulëta të shpenzimeve. Në përgjithësi, struktura e shpërndarjes së familjeve sipas nivelit të shpenzimeve, duket disi e zhvendosur drejt një niveli më të lartë shpenzimesh mujore.

Ekspertët e Bankës Qendrore evidentojnë gjithashtu, se indeksi i të ardhurave dhe indeksi i shpenzimeve kanë shënuar rritje gjatë periudhës së vrojtuar, por rritja e indeksit të shpenzimeve ka qenë më e theksuar, duke rezultuar në një përkeqësim të balancës midis të ardhurave dhe shpenzime të familjeve.

Euroizimi i të ardhuravefamiljeve shqiptare vijon të mbetet i ulët, ku vetëm 14% e të përgjigjurve (161 familje në 1140 familje të përgjigjura) deklarojnë se kanë të ardhura në valutë (kryesisht në euro), në raporte të ndryshme ndaj totalit të të ardhurave mujore. “Kjo peshë ka mbetur e pandryshuar në tre vrojtimet e fundit”, thekson raporti.

Në këtë kategori përfshihen kryesisht familjet që marrin të ardhura nga të afërmit emigrantë. /ekonomix.al/
Shtuar më 06/11/2018, ora 12:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori