“Pasagjerët kanë parë shoferin me kokën ulur”, gazetari: Autobusi i “Go green” u përplas me një mjet tjetër para “Porsche”

Mesditën e sotme një autobus i kompanisë “Green Line” i prezantuar vetëm një vit më parë mori para disa makina duke plagosur 9 persona, mes tyre edhe shoferi i autobusit. Policia po heton për shkaqet por paraprakisht dyshohet për shpejtësi tej normave të lejuara nga autobusi në fjalë.

Gazetari Igli Çelmeta bën me dije se autobusi ka përplasur një mjet tjetër, përpara se të përplasej me makinën tip “Porsche”, siç duket edhe nga këndi i videos se publikuar.

“Në këto pamje nuk duket, por urbani para se të godiste mjetin tip “Porsche” ka goditur një mjet tjetër më parë. Dëshmitarët që kanë qenë në urban kanë deklaruar se në momentin e aksidentit, kanë parë shoferin me kokën e ulur. Vetë ai ka deklaruar se vuan nga diabeti, dhe se në atë moment nuk ka qenë koshient dhe nuk mban mend se çfarë ka ndodhur. Siç shihet aty, edhe pse ka goditur mjetin, nuk ndalon por vazhdon lëvizjen duke shkaktuar përplasjet zinxhir”, tha ai.

Ndërkohë sipas shefit të qarkullimit në Tiranë, Taulant Gjoka, në orët në vijim do të ketë një deklaratë nëse do të ketë të arrestuar për këtë aksident, apo do të hetohen në gjendje të lirë.

Gjoka bëri me dije se shoferit të autobusit, përveç testit të alkoolit i është bërë edhe testi i drogës./Albeu.com/


Shtuar 27.02.2023 16:37