U padit nga Veliaj pas intervistës për inceneratorin, Koka pas daljes nga gjykata: Gjithnjë e më e vështirë të flasësh në Shqipëri

Gazetari Bledian Koka ishte sot Gjykatën e Tiranës pas një padie nga kryebashkiaku Veliaj në lidhje me një intervistë të publikuar në emisionin “Piranjat” në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Në atë intervistë, personazhi i pyetur nga Koka akuzonte Veliajn se ishte pjesë e një skeme me inceneratorin e Tiranës, i cili ishte blerë “me pak lekë” në Rumani dhe ishte sjellë në Tiranë duke u shitur si investim novator, duke i kushtuar taksapaguesve të kryeqytetit miliona euro.

Pas kësaj interviste, Veliaj paditi Kokën në gjykatë për “shpifje”, por pas daljes sot nga seanca gjyqësore, Koka se sot në Shqipëri është bërë shumë e vështirë të bësh edhe pyetje të thjeshta dhe më keq akoma të flasësh.

“Sot një gazetar akuzohet se ka marrë një intervistë. Është aksion parapolitik. Të flasësh në Shqipëri sot është krim. Ai përdor të gjithë pushtetin e tij për të bërë presion tek gazetarët.

Ajo që ka ndodhur sot, është gati në kufijtë e surreales. Kjo është medalje nderi në gjoksin tim, nder më të madh nuk mund të ketë. Minimalisht kjo është një lajm i mirë. Fakti që kemi bërë diçka që ngacmon nervin është një gjë e mirë. Kjo i bën nder Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

Për mua kjo është ditë e mirë. Pres seancën e radhës që na e lanë me 5 maj. Sot i bëj të njëjtat pyetje: A e njihni shtetasin italian? A keni kërkuar që të blini një incenerator në Bashkinë e Kostancës në Rumani?A e njeh shtetasin Milliad Lopa? A ka udhëtuar me të? Këto janë pyetje shtesë dhe normalisht do të duhet që të kisha përgjigje si gazetar. ”, deklaroi Koka.


Shtuar 20.04.2023 13:02