Pavarësisht krizës, Gjermania braktis energjinë bërthamore

Në fund të marsit, në Berlin, ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke (Të Gjelbrit) i dha fund me pak fjalë një grindjeje që e kishte mbajtur vendin në pezull për shumë vite: “Rreziqet e energjisë bërthamore në fund të fundit nuk janë të kontrollueshme dhe kjo është arsyeja pse braktisja graduale e energjisë bërthamore e bën vendin tonë më të sigurt dhe shmang mbetjet e reja bërthamore”.

Një tjetër zgjatje e shkurtër e mbajtjes së centraleve bërthamore

Më parë, energjia bërthamore u bë edhe njëherë objekt mosmarrëveshjeje. Në fakt, koalicioni qeveritar i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP kishte rënë dakord të respektonte braktisjen e energjisë bërthamore në Gjermani, të vendosur në vitin 2011. Termocentralet e fundit bërthamore do të mbylleshin në fund të vitit 2022. Por lufta e Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka, pasi furnizimet me gaz rus në Gjermani u ndërprenë dhe ekzistonte frika e mungesës së energjisë. Kancelari Olaf Scholz e imponoi vendimin e tij: Zgjatje e periudhës së funksionimit të centraleve bërthamore deri në mes të prillit 2023.

Një mosmarrëveshje që ka zgjatur me dekada

Pak mosmarrëveshje i kanë polarizuar njerëzit, veçanërisht në Gjermaninë Perëndimore, për shumë dekada sa ajo për energjinë bërthamore. Më 17 qershor 1961, një central bërthamor gjerman, Kahl në Bavari, furnizoi për herë të parë me energji rrjetin publik. Sot, tre termocentralet e fundit gjermane ende në shërbim, e ndërpresin përfundimisht furnizimin për rrjetin më 15 prill. Midis këtyre dy datave kanë kaluar 22596 ditë dhe shumë debate të gjalla. Ndërkohë, 19 blloqe centralesh bërthamore gjermane kanë furnizuar deri në një të tretën e energjisë elektrike të vendit, herën e fundit rreth 20 vjet më parë.

Në Republikën e vjetër Federale Gjermane, përpara bashkimit gjerman, kundërshtimi i energjisë bërthamore nxori në rrugë qindra mijëra të rinj, kryesisht në vitet 1970 dhe 1980. Fatkeqësia e Çernobilit në Bashkimin Sovjetik dukej se konfirmonte paralajmërimet për rreziqet e energjisë bërthamore. Por partitë politike në pushtet (CDU, CSU, SPD ose FDP) kanë mbështetur fuqimisht përdorimin e energjisë bërthamore për shumë dekada.

Energjia bërthamore në Evropë

Vendet e tjera evropiane kanë qenë më të shpejtë për të braktisur gradualisht energjinë bërthamore. Suedia ishte e para që vendosi t’i jepte fund energjisë bërthamore menjëherë pas Çernobilit. Italia gjithashtu vendosi në atë kohë të mbyllte dy termocentralet e saj të fundit bërthamore. Italia iu përmbajt vendimit të saj, ndërsa Suedia e anuloi vendimin e saj në vitin 1996. Sot, atje gjashtë termocentrale bërthamore prodhojnë rreth 30 për qind të nevojave për energji elektrike.

Vende të tjera evropiane si Holanda ose Polonia po planifikojnë një zgjerim të furnizimit me energji bërthamore, Belgjika po e shtyn mbylljen e planifikuar. Me 57 reaktorë bërthamorë, Franca ka qenë gjithmonë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike bërthamore dhe kështu do të mbetet. 13 nga 27 vendet e BE-së duan të përdorin energjinë bërthamore në vitet e ardhshme apo edhe të rrisin kapacitetin. Por shumë ekspertë dyshojnë se kjo do të ndodhë.

Braktisja e parë gjermane në vitin 2002

Në Gjermani, Jürgen Trittin, asokohe ministri i Mjedisit i të Gjelbërve, e imponoi vendimin e parë për të hequr dorë nga energjia bërthamore në vitin 2002. Ky vendim u zbut më vonë nga qeveritë pasuese, por fatkeqësia e tmerrshme bërthamore në Fukushima në Japoni në 2011 vulosi përfundimisht fatin e centraleve bërthamore gjermane. Kancelarja e asaj kohe, Angela Merkel (CDU), vendosi fundin e energjisë bërthamore në Gjermani. Trittini është edhe sot deputet i të Gjelbërve në Bundestag, dhe në një intervistë për DW për datën aktuale të mbylljes përfundimtare thotë: “Po, është një ditë e rëndësishme, sepse shënon fundin e një historie, atë të përdorimit civil të energjisë bërthamore. Por ky nuk është fundi i energjisë bërthamore në Gjermani, ne kemi të bëjmë akoma me mbetjet më të rrezikshme të botës, që do të na duhet t’i ruajmë në mënyrë të sigurt për një milionë vjet”.

Çfarë thonë mbështetësit e energjisë bërthamore?

A është vërtet ky fundi i energjisë bërthamore në Gjermani? I pyetur nga DW, grupi gjerman i interesit për teknologjinë bërthamore “KernD” tha se heqja e energjisë bërthamore në tërësi nuk ishte një ide e mirë për shkak të krizës energjetike: ” Edhe në funksion të politikës klimatike dhe evolucionit shumë të pafavorshëm të prodhimit të energjisë elektrike vitin e kaluar, për shkak të rritjes së mprehtë të prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri, mbyllja e tre termocentraleve bërthamore në punë që prodhojnë pak gazra të efektit serë, nuk është i kuptueshëm”. Dhe shtojnë: “Po të marrim parasysh sigurinë e furnizimit, mbrojtjen e mjedisit dhe klimës, si dhe konkurrencën së bashku, do të ishte më e mençur të prodhohej më shumë energji elektrike nga burimet bërthamore sesa aspak.”

Energjia bërthamore në botë sot

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), në mbarë botën janë aktualisht në punë 422 reaktorë bërthamorë, me një moshë mesatare rreth 31 vjeçare. Një raport i fundit i IAEA-s, megjithatë, pohon se nuk mund të flasim për një rilindje të energjisë bërthamore. Për prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet bërthamore në botë, mund të lexojmë: “Në vitin 1996 u arrit maksimumin me 17,5 për qind, por në vitin 2021 kjo vlerë ra nën dhjetë për qind, për herë të parë në katër dekada”. Dhe Jürgen Trittin thekson se askush nuk dëshiron të investojë në një shkallë të madhe “në energjinë bërthamore, sepse energjia bërthamore nuk është konkurruese”. Ndërtimi i centraleve të reja bërthamore është shumë i shtrenjtë; shpesh ato janë të bashkëfinancuara nga taksat. Vonesat dhe kundërshtimet ndaj projekteve të reja janë të përsëritura.

Japonia i kthehet energjisë bërthamore pavarësisht Fukushimës

Megjithatë, janë kryesisht Kina, Rusia dhe India që duan të ndërtojnë centrale të reja bërthamore. Kina, ku praktikisht nuk ka shoqëri civile që kundërshton projektet e reja, dëshiron të ndërtojë 47 objekte të tjera. Tashmë sot, Kina prodhon më shumë energji bërthamore sesa Franca. Edhe Rusia dhe India udhëheqin me planet e tyre të zgjerimit. Është argumentuar rregullisht se zhvillimi i energjisë elektrike bërthamore mbron klimën, sepse prodhimi praktikisht nuk gjeneron dioksid karboni.

Edhe Japonia dëshiron t’i kthehet energjisë bërthamore, pavarësisht nga tërmeti i vitit 2001, i cili shpërtheu disa reaktorë bërthamorë njëri pas tjetrit. Në atë kohë, të gjitha termocentralet bërthamore u mbyllën. Por pak nga pak, disa reaktorë u rikthyen në shërbim. Qeveria japoneze ka marrë tani një vendim: Japonia, e varfër në lëndë të para, dëshiron të ndërtojë reaktorë të rinj dhe t’i lërë të vjetrit të funksionojnë deri në 70 vjet. “Ne duhet të shfrytëzojmë plotësisht energjinë bërthamore”, tha si moto kryeministri Fumio Kishida. Në sondazhe, ai gëzon mbështetje në rritje të publikut pas periudhave të gjata në opozitë./DW