Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite në Spitalin e Kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, diskutoi për planin e rihapjes graduale të sistemit shëndetësor, që prej dy muajsh qëndron pjesërisht i bllokuar për shkak të trajtimit të pacientëve me Covid-19.
Manastirliu u shpreh se që prej datës 18 maj do të nisë rihapja graduale e sistemit shëndetësor, duke përfshirë këtu edhe operacionet e planifikuara në spitalet rajonale dhe universitare.
Ndër të tjera ministrja shtoi se Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerson rikthimin në normalitet të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” (i njohur si Covid2), i cili u vendos në shërbim të pacientëve me Covid-19. Vendimi për kthimin në normalitet të spitalit do të merret brenda kësaj jave.