Si u organizua atentati ndaj Admir Bajrit! 38-vjeçari, në gjendje të rënduar në spital me 6 plumba në trup

Më shumë se 24 orë pas atentatit ndaj Admir Bajrit në Shkodër, Policia nuk ka ende asnjë person të dyshuar. Policia dhe Prokuroria kanë arritur që të zbulojnë mjetin me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët e kësaj ngjarje.

Admir Bajri, 38 vjeç, u plagos në hyrje të Dobraçit, zonë në të cilën edhe jeton. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 të së mërkurës.

Zbulohet makina

Pak orë pas plagosjes efektivët kanë zbuluar mjetin tip “Benz” me targë AA 066 PZ, targë e cila rezulton e vjedhur në Tiranë dy vite më parë, më 27.08.2020. Mjeti i autorëve ka dalë përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë nga ana e policisë.

Targa e vjedhur është e vetmja provë deri më tani ndërsa grupi hetimor po përpiqet që përmes kamerave të sigurisë të dijë se cili është itinerari që kanë ndjekur autorët me mjetin e tyre, por deri më tani është e paqartë se ku është fshehur mjeti në fjalë.

Po ashtu, deri më tani Policia nuk ka arritur ende që të identifikoje autorët e plagosjes së 38-vjeçarit, ndërsa vijon puna në mënyrë intensive për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e tyre.

Përgatitja e atentatit

Ndërkohë sipas burimeve policore mendohet se ky atentat ndaj Admir Bajri mund të ketë të paktën një muaj që është mirë menduar nga autorët. Dyshohet se autorët kanë vëzhguar lëvizjet e 38- vjeçarit, i cili ka dalë lirshëm në rrugët e qytetit të Shkodrës, duke arritur deri te ky atentat. Edhe ditën e plagosjes dyshohet se gjatë gjithë ditës autorët kanë vëzhguar lëvizjet e Bajrit derisa qëlluan ndaj tij me breshëri plumbash.

Po ashtu, Policia ka dyshime se në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë deri në 10 persona, një pjesë që e kanë ruajtur, ekzekutorët dhe bashkëpunëtorë të tjerë mbrëmjen e plagosjes. Po ashtu ka dyshime se përveç mjetit të zbuluar tashmë të autorëve me targën e vjedhur mund të jenë të përfshira të paktën edhe dy mjete të tjera natën e plagosjes së Admir Bajrit, por që nuk janë zbuluar ende nga Policia.

Dy mjetet e tjera dyshohet se kanë pritur pak metra më tutje autorët dhe pas atentatit janë larguar pa lënë gjurmë. Policia në vend ngjarje ka gjetur 12 gëzhoja plumbash ndërsa 12 të tjerë që janë qëlluar në drejtim të 38-vjeçarit mungojnë. Admir Bajri, i cili ndodhej në mjetin e tij fouristradë tip “Benz” është qëlluar me breshëri plumbash kallashnikovi.

Autorët kanë shkrepur një karikator ndaj Admir Bajrit, i cili edhe pse mori 6 plumba në trup ka arritur që të shpëtojë të paktën deri tani. 38- vjeçari ndodhej bashkë me nënën e tij e cila ishte futur në market për të blerë dhe në atë moment autorët kanë ardhur me sens drejtim nga Kopliku drejt Shkodrës, duke qëlluar me breshëri ndaj tij.

Autorët nuk kanë dalë nga mjeti dhe kanë qëlluar nga brenda makinës dhe më pas janë larguar në drejtim të qytetit të Shkodrës. Disa dëshmitarë të rastësishëm janë marrë në pyetje, por ata kanë deklaruar se nuk e kanë parë dinamikën e ngjarjes dhe as autorët apo mjetin e tyre.

Edhe pse deri më tani nuk ka një pistë konkrete, Policia vijon hetimet me qëllim zbardhjen e kësaj plagosjeje dhe kapjen e autorëve të dyshuar, të cilët mendohet se janë vrasës me pagesë.

38-vjeçari në gjendje të rënduar

Admir Bajri për momentit ndodhet në një gjendje të stabilizuar shëndetësore, por ende nuk e ka kaluar plotësisht rrezikun për jetën dhe në rast të një komplikacioni atëherë gjendja e tij mund të rëndohet.

Admir Bajri ka 6 plumba në trupin e tij, një në pjesën e qafës, tre në gjoks dhe nga një plumb në bark dhe shpinë. Po ashtu 38- vjeçarit vuan nga sëmundja e diabetit dhe mësohet se përdorte shpesh insulinat, gjë e cila e vështirëson shumë mbylljen e plagëve nga plumbat dhe nuk jep siguri për jetën. Gjithsesi, i plagosuri vijon që të jetë nën kontrollin e rreptë të mjekëve./Panorama/


Shtuar 11.03.2022 14:08