Zyrtarja e Regjistrit Qendror në RMV nuk pranon dokumentet, për shkak të vulës në dygjuhë

Regjistri Qendror i RMV-së nuk pranon vulën dygjuhëshe: maqedonisht dhe shqip të një shoqate joqeveritare.

Lajmi është bërë i ditur përmes rrjetit të kontabilistëve, ku një kontabilist ka shprehur shqetësim se çfarë i ka ndodhur lidhur me një zyrtare të këtij institucioni që nuk i ka pranuar dokumentet për shkak të vulës dygjuhëshe.

“Kolegë të nderuar, sot në mëngjes në Regjistrin Qendror nuk më pranuan llogarinë përfundimtare të një shoqate qytetare sepse vula ishte në dy gjuhë. Ky është shtet i çmendur”, ka shkruar kontabilisti që është përballur me këtë problem.

Siç dihet në bazë të ligjit për regjistrimin e kompanive dhe shoqatave joqeveritare, zbatohet përdorimi i dygjuhësisë në vula, por edhe në dokumente tjera, përfshirë edhe faturat, kontratat, etj.

Lidhur me këtë rast pritet përgjigje nga institucioni i Regjistrit Qendror në RMV. Regjistri Qendror është institucion, formuar me Ligjin për Regjistrin Qendror. Paraqet një bazë qendrore me informata për personat juridik dhe informata tjera relevante që futen në to./ina