Jahjaga në "HardhFest": Kosova mund të bëhet fuqi rajonale në bujqësi (FOTO LAJM)

Atifete Jahjaga në HardhFest në Rahovec
​Që nga dita e sotme është hapur festa e vjeljes së rrushit, e njohur si "HardhFest". Kjo festë këtë vit shënon 14 vjetorin dhe do zgjasë dy ditë.

Për festimin sa më të mirë të kësaj dite, janë përkujdesur ministria e bujqësisë, komuna e Rahovecit dhe shoqata e vreshtarëve.

E pranishme në këtë festë ishte edhe presidentja Atifete Jahjaga, e cila tha se, kjo festë dëshmon traditë të lashtë të popullit të Kosovës për të filluar mbledhjen e bereqetit. /albeu.com/

Fjalimi i plotë i Jahjagës në "Hardhfest":

nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
I nderuar Ministër Krasniqi,
Kryetar i Komunës Vehapi,
I nderuar zotëri Sharku,
nderuar pjesëmarrës,
Qytetar të Rahovecit,

Kjo është festa më e rëndësishme e stinës, që dëshmon një traditë të lashtë të popullit të Kosovës për të filluar mbledhjen e bereqetit të kësaj toke kaq të vlefshme të shtetit tonë.
Prandaj ndjehem e nderuar që sot po marr pjesë në këtë festë jo vetëm tuajën, jo vetëm të komunës suaj por të gjithë Kosovës. Po bëhem kështu pjesë e një tradite që i gëzohet mirëqenies për të gjithë.
Vjelja e rrushit nuk është vetëm një festë e zakonshme dhe as edhe vetëm një shënim i një tradite të kësaj ane por fillim i një viti të mbarë për familjet tuaja dhe përgjithësisht për shtetin tonë dhe shoqërinë tonë.
Për Rahovecin dhe rahovecasit sot është një ditë e veçantë kur përmblidhet puna e muajve të tërë, dhimbshëm dhe të mundimshëm për ju, në përkujdesje të secilës hardhi të rrushit që nxjerrë dhe shpërblen mundin e tyre, sepse për secilin prej jush, me vjeljen e rrushit, ditët tuaja marrin kuptim dhe puna juaj vlerësohet. Do të vlerësohet edhe për cilësinë e rrushit por edhe për më shumë për prodhimin e verës, që bazohet në hardhinë tuaj të rrushit.

Prandaj jam këtu sot me ju, jemi këtu me ju si institucione të vendit për të dëshmuar se sa rëndësi për të gjithë ne ka përkujdesja për punën e tokës, për bujqësinë dhe në veçanti për vreshtarinë. Sepse si vend i vogël që jemi, me një ekonomi jo shumë të zhvilluar, por me pasuri e resurse natyrore, por edhe me një traditë të gjatë të punimit të tokës , ne duhet të punojmë për të nxjerrë bukën tonë nga toka jonë.

Sot nuk është koha për të zgjedhur nëse duam ta bëjmë Kosovën vend të zhvilluar. Ky është obligim dhe detyrë jona! Prandaj zgjedhjet që mund të bëjmë sot janë zgjedhjet për investime në bujqësi, në një vend që jeton nga toka e tij, dhe në veçanti në vreshtari, në një vend që siguron jetesën nga ajo.

Ne duhet të ndihmojmë bujqit tanë, vreshtarët tanë dhe përgjithësisht njerëzit që merren me punën e tokës, dhe t’ua sigurojmë kushtet e nevojshme. Ne duhet të garantojmë për prodhimet e tyre, sepse kjo siguron jo vetëm mbijetesën e qytetarëve tanë që jetojnë e punojnë me djersën e tyre. Dhe ne duhet, përmbi të gjitha, të krijojmë kushte themelore për të ruajtur praninë më të madhe në fshatra, për ta punuar tokën tonë dhe njëkohësisht për të siguruar dhe garantuar mirëqenien jo vetëm të familjeve tona, por të gjithë vendit tonë.

Kosova ka pasuri të mëdha natyrore dhe ajo mund të shndërrohet në një forcë rajonale në fushën e bujqësisë. Toka e saj mund të shndërrohet në prodhuesen më të madhe në rajon të prodhimeve të ndryshme bujqësore dhe ne duhet ta garantojmë këtë për aq sa duhet të sigurojmë cilësinë e produkteve tona duke trasuar rrugën e pranisë së tyre jo vëtën në tregjet rajonale, por edhe në tregjet botërore.

Prandaj na duhen investime më të mëdha në këtë fushë të bujqësisë dhe kjo do të sigurojë edhe hapjen e vendeve të punës dhe ndërkohë edhe nxjerrjen e produkteve tona në tregun jo vetëm rajonal por edhe më gjërë.
Institucionet e vendit janë këtu për t’ju mbështetur juve dhe të gjithë bujqit e Kosovës, që ta kthejmë vendin në një prodhues të fortë, që përkujdeset për tokën e saj, që do të sigurojë jo vetëm bukën e motit për vete, por edhe që do të garantojë cilësinë, të dal nga konkurrenca, për të hapur rrugën e prezantimit në çdo vend dhe çdo kund.

nderuar qytetar të Rahovecit,

Kjo është festë e juaja e njëkohësisht edhe festë e gjithë Kosovës. Përmes saj ne hapim horizontin e bashkëpunimit edhe me vendet e rajonit të Evropës Juglindore, që duhet të ndërtojnë lidhje të forta të marrëdhënieve sepse ekonomitë e tyre janë të ndërvarura mes vete. Përmes saj ne zgjerojmë mundësi të reja edhe në rajon dhe ndërtojmë ura të bashkëpunimit bazuar në cilësi, në vlera, në konkurrencë të shëndoshë dhe në partneritet që hap mundësinë edhe të pranisë së përbashkët në tregje të treta ku aty edhe ne synojmë.

Sot është festa edhe e rrushit por edhe njëkohësisht e verës. Kësaj vere të Rahovecit që prezanton me dinjitet Kosovën në botë. Dhe sot është më shumë se festë në Rahovec prandaj le të festojmë së bashku e t’i gëzohemi të mirave të tokës së bekuar, të shtetit tonë. Faleminderit dhe urime dhe ta përfundojmë më slogan, “Ta cakërrojmë me dashuri”.
Shtuar më 05/09/2015, ora 17:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori